AKSIONI SYNON TË MBIKQYRË TREGJET E BAGËTISË PËR TË VERIFIKUAR ORIGJINËN E KAFSHËVE. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ka nisur një aksion për mbikqyrjen e tregjeve të kafshëve, pas urdhrit të firmosur nga Ministri Edmond Panariti.
Aksioni synon të mbikqyrë tregjet e bagëtisë për të verifikuar origjinën e kafshëve dhe certifikatat shoqëruese veterinare. Mbiqyrja mbështetet në sistemin e gjurmueshmërisë me anë të verifikimit të matrikujve, të cilët lidhin identitetin e gjedhëve dhe të imtave me subjektin dhe fermën ku ato mbarështohen. Në rastet kur në treg do të zbulohen kafshë me origjinë të rremë, ato do të konfiskohen dhe asgjësohen ndërsa subjekti tregëtues do të përballet me penalitete. Përveç prodhuesve vendas, Ministria e Bujqësisë u ka kërkuar edhe të gjithë vendeve nga ku kryhet import i kafshëve dhe shpendëve të gjallë, që të informojnë autoritetet shqiptare saktësisht për vendodhjen e fermave prodhuese, teknologjinë e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve si dhe gjendjen shëndetësore të tyre. Sipas Ministrit Panariti, “kafshët pa matrikuj ose me matrikuj të falsifikuar do të bllokohen dhe asgjësohen. Gjurmimi i origjinës së kafshëve dhe shpendeve per prodhim mishi, qumeshti, vezeve eshte garanci per sigurine ushqimore te konsumatorit”. Ministri Panariti, ka kerkuar gjithashtu që krahas verifikimit me numër matrikulli të zbatohet edhe gjurmimi dixhital i prejardhjes së kafshëve dhe shpendëve për mish, qumësht, vezë.