GRUPI DO TË VERIFIKOJË VENDIMET E SHKALLËS SË PARË DHE APELIT PËR MJAÇAJ. Ministria e Drejtësisë urdhëron nisjen e inspektimit lidhur me vendimet gjyqësore dhënë ndaj Sokol Mjacajt, autorit të vrasjes së dy turistëve çekë në Prekal të Dukagjinit. Ministria kërkon që inspektimi të kryhet lidhur me verifikimin e vendimeve që janë dhënë ndaj 20-vjeçarit si nga gjykata e shkallës së parë në Shkodër, ashtu edhe nga Gjykata e Apelit në këtë rreth.

Mësohet se grupi i inspektimit ka nisur të kryejë tashmë këtë verifikim të vendimeve që lanë të lirë 20-vjeçarin vetëm një muaj para se të kryente masakrën e rradhës, atë ndaj turistëve çekë. Bëhet fjalë për vjedhjen me pasojë vdekjen e 13-vjeçarit me inicialet A.L, në fshatin Pjollë të komunës Shalë në vitin 2010 për të cilën ka qenë i dënuar si bashkëpunëtor edhe Sokol Mjacaj. Vetë 20-vjeçari pati rrëfyer në gjykatën e shkallës së parë Shkodër sesi e grabitën e më pas i përplasën kokën pas një guri, e asfiksuan dhe e hodhën në ujërat e lumit Shalë. Shkalla e parë dënoi me burgim të përjetshëm Besnik Kodrën, me 11 vite burg vëllanë e tij dhe me 10 vite burg Sokol Mjacën, por Apeli mbajti të pandryshuar vetëm dënimin për Besnik Kodrën, ndërsa uli në 25 vite burg vendimin për të vëllanë dhe i uli nga 10 në 4 vite burg masën e dënimit për autorin e vrasjes së turistëve çek. Treshja gjykuese e Apelit të Shkodrës kryesohej nga gjyqtarja Marina Rraboshta.

Artikulli paraprakRRËFEHET GRUAJA QË MBAJTI SOKOL MJACAJ NË BANESËN E SAJ
Artikulli tjetërOBLIKE, PLEHRAT MBIZOTËROJNË AMBJENTIN