Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë nuk do të jetë funksional nga data 19 deri më 28 shkurt.
Gjatë këtyre 10 ditëve pagesat do të kryhen në mënyrë manuale. Ministria e Financave ka shpjeguar se arsyeja është përmirësimi i infrastrukturës qendrore të sistemit. Kjo ndërprerje nuk do të mundësojë kryerjen e transaksioneve. Ndaj, Ministria e Financave ka nxjerrë një udhëzim, i cili iu është vënë në dispozicion të gjitha njësive shpenzuese, që të kryejnë ekzekutimin e të gjitha pagesave të muajit shkurt përpara datës 19 të këtij muaji. Ministrisa e Financave, do të vijojë të kryejë transferta direkte qendrore nëpërmjet Bankës së Shqipërisë, pagesa për Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH), Fondin Special të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), si dhe pagesat e shërbimit të borxhit. “Ndërprerja e funksionimit të SIFQ është e domosdoshme për shkak të zëvendësimit të infrastrukturës ekzistuese me infrastrukturë të re më të përparuar, si domosdoshmëri për garantimin e mirëfunksionimit të sistemit SIFQ. Ky është investimi i parë i bërë në këtë drejtim që nga instalimi dhe funksionimi live i këtij sistemi. Investimi është kryer me fondet e buxhetit” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave. Ky dikaster shpjegon se ka marrë të gjitha masat për të kryer pagesa qendrore manuale edhe për shpenzime emergjente spitalore me funksion jetësor, si blerje oksigjen, gjak, ushqim, etj