Raporti i auditit që nxjerr në pah shkeljet që janë bërë në klubin Vllaznia nuk është i vetmi lajm jo i mirë për kuqeblutë.

“Star Plus” ka arritur që të zbardhë një dokument zyrtar ku ministria e financave i kërkon drejtorinë së përgjithshme të tatimeve që sipas ligjeve në fuqi të nisin procedurat për shpalljen e falimentit për “Vllaznia sh.a”. Gjithçka ka nisur nga një shkresë që organizata “Intelektualët e Rinj Shpresë” kanë dërguar në drejtorinë rajonale të tatimeve duke kërkuar informacion përmes një shkrese zyrtare në lidhje me nisjen e procedurave për shpalljen e falimentit për “Vllaznia sh.a” duke qenë se ky subjekt është me humbje dhe sipas ligjit duhet që të nisë shpallja e falimentit. IRSH nuk ka marrë një përgjigje në afatin e caktuar dhe kjo çështje nuk është lënë me kaq duke dorëzuar një tjetër shkresë kësaj radhe në ministrinë e financave.

Sipas shkresës është drejtoria e përgjithshme e politikave makroekonomike dhe çështjeve fiskale në ministrinë e financave e cila i ka dërguar një shkresë drejtores së përgjithshme të tatimeve Vasilika Vjero. Në këtë shkresë sipas ligjit duhet që të nisë procedura e falimentit për Vllaznia sh.a nga administrata tatimore. Konkretisht në këtë shkresë thuhet: “IRSH ka depozituar pranë ministrisë së financave një kopje të raportit të dytë mbi transparencën në bashkinë Shkodër ku në fokus është transparenca tek Vllaznia sh.a. Në vijim të këtij raporti ndër të tjera kjo shoqatë ka përcjellë kërkesën e saj që administrata tatimore të kërkojë pranë gjykatës fillimin e procedurave të falimentit për Vllaznia sh.a.

Sikurse përcaktohet sipas ligjit fillimi i procedurave për shpalljen e falimentit të Vllaznia sh.a, ju lutem të bëni trajtimin e çështjes së ngritur nga IRSH në përputhje sa parashikon legjislacioni tatimor duke informuar ministrinë e financave në afat kohor sa më të shkurtër”-bën të ditur shkresa drejtuar drejtorisë së tatimeve. Tashmë Vllaznia rrezikon më shumë se kurrë duke qenë se kërkohet edhe zyrtarisht që të nisin procedurat për shpalljen e falimentit dhe në rast se kjo ndodh kuqeblutë shkojnë direkt në kategorinë më të ulët.

Artikulli paraprakSJAASTAD: KRIZA I PËRKET POLITIKËS SË BRENDSHME
Artikulli tjetërZGJEDHJA E PRESIDENTIT TË RI MES 13 PRILLIT DHE 9 KORRIKUT