Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla deklaroi se Rusia aktualisht po kryen një sulm hibrid ndaj Kosovës. Gërvalla tha se sulmi hibrid rus ndaj Kosovës po vjen pas njoftimit të mbështetjes së Kosovës me pajisje ushtarake për Ukrainën.

“Rusia po e sulmon Kosovën në një mënyrë hibride sot, pas njoftimit tonë për mbështetje me pajisje ushtarake për Ukrainën, në mbrojtjen e saj të justifikuar kundër agresionit gjenocidal rus. Ne e dimë nga gjenocidi i Serbisë ndaj Kosovës se vetëm mjetet ushtarake e ndalin gjenocidin”, shkroi Gërvalla në një postim në rrjetin social X

Kosova është solidarizuar me Ukrainën menjëherë pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të saj në shkurt 2022. Në një raport të organizatës Demokracia Plus, të publikuar më 2022, thuhej se Kosova “është subjekt i dezinformimit nga aktorë malinj të huaj, si Rusia, Kina dhe Serbia”. Sulmet e fundit të raportuara kibernetike ndaj institucioneve shtetërore kanë ndodhur në shtator të vitit të 2022. Qeveria e Kosovës tha atëkohë se sulmi e kishte origjinën jashtë vendit, por nuk tregoi se nga cili vend. Institucionet shtetërore kanë qenë cak i sulmeve kibernetike edhe më herët.

Artikulli paraprakNISIN STËRVITJET BËRTHAMORE NË EUROPË, MOSKA TESTON ARMATIMET NUKLEARE NË BJELLORUSI
Artikulli tjetërDASHURIA DO TË MARRË NJË NXITJE POZITIVE… ÇFARË THONË YJET PËR JU SOT