Pas vizitës në Maqedoninë e Veriut, ndalesa tjetër e ministres gjermane të Europës, Anna Luhrmann ka qenë Tirana. Ajo është pritur nga zv.kryeministri Arben Ahmetaj.
Në konferencën për shtyp, zv.kryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj tha se Shqipëria i ka përmbushur detyrat dhe se është koha për të çelur negociatat me Bashkimin Europian. Ai e cilësoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është i domosdoshëm, duke theksuar se nuk duhet të lihet si vakum për mundësi për lojëra nga vendet e treta.
“Shqipëria vazhdon të referojnë një mbështetje rreth 90% për procesin e integrimit në BE, i shpreha keqardhjen se tashmë ne i kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë, sot që flasim nuk k asnjë vend anëtarë të BE që të ngrejë një problematikë në Shqipëri, që të pengojë hapjen e negociatave, edhe pse Komisioni e konfirmon këtë, akoma besoj në 6 muajt e ardhshëm shpresojmë të kemi hapjen formale të negociatave, në bazimin e meritës ku Shqipëria i ka plotësuar detyrat e shtëpisë.
Jemi gati të kapim kohën e humbur. Ndava falënderimin për kontributin e qeverisë gjermane dhe i kërkova që Ballkani Perëndimor nuk mund të lihet si një vakum për mundësi për lojëra të vendeve të treta. Nuk lamë pa theksuar elementin e sigurisë, hapja e negociatave jep një sinjal shumë të fortë për garancinë e të ardhmes në BE, vetë procesi i integrimit është reforma e thella sektoriale dhe këto element e bëjnë integrimin strategjik”, tha Ahmetaj.