Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e shoqëruar nga zëvendësministri Petro Koçi, zhvilluan një vizitë në batalionin e 1-rë të këmbësorisë në Vaun e Dejës. Fillimisht ministrja Xhaçka u njoh nga komandanti i b1k nënkolonel Ali Mali, me punën, arritjet, por edhe problematikat e këtij batalioni.
Më pas, ministrja zhvilloi një takim me të gjithë efektivët e batalionit, të cilët i përgëzoi për punën dhe agazhimin e tyre, dhe i siguroi ata për vëmendjen e plotë të Ministrisë së Mbrojtjes për përmirësimin e kushteve të punës dhe trajtimit të tyre. “Jemi maksimalisht të angazhuar që të gjithë problematikat me të cilat ndesheni në punën tuaj të përditshme sa i takon operacionalitetit, gatishmërisë, por edhe stërvitjes dhe punëve të përditshme tuajat, janë shumë të rëndësishme për ne. Dua që t’ju siguroj që ka një angazhim maksimal për trajtim më të mirë, për modernizimin më shumë, për përgatitje më të mirë, megjithatë, me gjithë sa jam informuar edhe nga nga komandanti, por edhe në Ministri, dua t’ju përgëzoj për përgatitjen tuaj, për punën tuaj, veçanërisht në përballimin emergjençave të shumta, jo vetëm kjo kësaj radhe, por edhe shumë herë të tjera, kur keni qenë të angazhuar.”- u shpreh ministrja Xhaçka, e cila i përgëzoi efektivët edhe për kontributin e tyre në misionet ndërkombëtare ku ata kanë marrë pjesë në të shkuarën.
“Sigurisht jemi në paqe, por ne i shërbejmë atdheut edhe në ditë të vështira, dhe këto kanë qenë ditë të vështira, por dua t’ju përgëzoj edhe për kontributin tuaj në misionet paqeruajtëse. Komandanti më ka informuar që një pjesë e juaja ka që në Herat (Afganistan), në Bosnje, kështu që dua vetëm që t’ju nxis që të punoni fort dhe të angahoheni të përmbushni ato detyra dhe objektiva që janë shumë të rëndësishme për operacionalitetin e repartit, por jo vetëm, të FA-ve në përgjithësi . Nga ana jonë dua t’ju siguroj që trajtimi, angazhimi dhe vëmendja do të jetë gjithnjë e më e madhe do të jetë gjithmonë në rritje. Ju do të merrni të gjitha sa meritoni, për punën, për angazhimin, për vështirësitë.” Batalioni i 1-rë të këmbësorisë në vaun e Dejës, është një ndër repartet ushtarake më të rëndësishme të Forcës Tokësore, dhe mban peshën kryesore gjatë emergjencave civile në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës.