Vllaznia ka pësuar edhe humbje e tretë në po aq miqësore të zhvilluara deri më tani. Këtë herë mbi të ka triumfuar ekipi Deçiç i Tuzit, që do të marrë pjesë sërish në Superligën malazeze këtë vit. Skuadra e shqiptarëve të vendit fqinj ka fituar me rezultatin 2-0, me nga një gol të shënuar në secilën pjesë loje. Ndeshja është luajtur pasditen e sotme në stadiumin e qytetit të Tuzit dhe është ndjekur me interes nga një numër i konsiderueshëm tifozësh, si të qytetit të shqiptarëve në Malin e Zi, ashtu edhe të atyre që kishin udhëtuar nga Shkodra posaçërisht për t’iu gjendur pranë skuadrës së tyre të zemrës.

Trajneri Zmijani e ka nisur ndeshjen me këtë formacion: Dragojeviç, Gurishta, Borshi, Marku, Hakaj, Shtubina, Krymi, Bardulla, Selmani, Ahmeti e Çinari. Në pjesën e parë për malazezët ka shënuar shqiptari Camaj në minutën e 33-të. Loja e Vllaznisë nuk është ngjitur për asnjë moment në lartësinë e duhur, duke mos arritur të dalë mbi kundërshtarin. Në pjesën e dytë, stafi teknik ka aktivizuar të gjithë llojtarët që ka patur në dispozicion, përfshi edhe tre që janë në provë, Arifaj, Gavazaj dhe Ramadani dhe, prej tyre, figurën më të mirë e ka bërë Gavazaj, megjithatë, ende nuk dihet se çfarë do vendoset për të. Në minutën e fundit të ndeshjes, Krustoviç do të shënonte edhe golin e dytë dhe të fundit, duke bërë që i gjithë takimi të mbyllej me rezultatin 2-0 për Deçiç. Përtej këtij rezultati, Vllaznia ka zhgënjyer sërish, sidomos në lojën në sulm, teksa për 90 minuta ka patur shumë pak raste të krijuara në portën kundërshtare dhe kjo natyrisht që e bën të domosdoshme ndërhyrjen në merkato për këtë repart. Më parë shkodranët kishin humbur 0-1 me malazezët e Zetës dhe 1-2 ndaj Kastriotit të Krujës.

Artikulli paraprakASGJESOHEN 46 PARCELA ME 3801 RRËNJË BIMË NARKOTIKE.
Artikulli tjetërARRESTOHET NJË SHTETAS PËR ARMËMBAJTJE PA LEJE.