Pak përpara nisjes drejt Malit të Zi ku Vllaznia do të zhvillojë fazën përgatitore, kuqeblutë kanë zhvilluar një ndeshje miqësore.
Në fakt ka qenë një sfidë brenda familjes sepse skuadra e Armando Cungut është përballur me ekipin e dytë Vllaznia B. Më shumë se rezultati e rëndësishme për të dy ekipet ka qenë për të parë se ku ndodhen pas ditëve të para të stërvitjes. Nga sa mësohet skuadra e parë e Vllaznisë ka fituar 5-1 përballë ekipit të dytë.
Më shumë rivalitet mes ekipeve ka patur në pjesën e parë e cila është mbyllur në barazpeshë 1-1. Të parët që kanë shënuar kanë qenë lojtarët e ekipit të parë. Vrapi ka zhbllokuar rezultatin. Vllaznia B nuk ka qëndruar pasive teksa ka arritur që të barazojë me anë të Djepaxhisë në 1-1. Në pjesën e dytë ekipi i parë ka realizuar edhe katër gola të tjerë duke e mbyllur kështu 5-1 ndeshjen.
Shtubina ka kaluar sërish skuadrën e parë në epërsi përmes një penalltie që e ka kthyer në gol. Më tej dy gola ka realizuar Arlind Kalaja dhe një gol mbrojtësi Cicmil në fitoren 5-1 të Vllaznisë ndaj Vllanzia B. Nga sa mësohet trajneri i kuqebluve Armando Cungu ka aktivizuar përveç lojtarëve të formacionit të parë edhe të gjithë lojtarët e tjerë duke i dhënë mundësi por edhe duke parë gjendjen e gjithsecilit prej tyre.
Pas kësaj miqësoreje skuadra e Vllaznia është duke u përgatitur për të shkuar në fazën përgatitore që do të jetë në Ulqin të Malit të Zi. Gjatë përgatitores në shtetin fqinj pritet që lojtarë të ndryshëm të provohen dhe nëse ndonjë arrin të bind stafin teknik atëherë mund të firmosë me Vllazninë edhe pse mbetet e vështirë për të gjetur lojtarë.