Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani nënvizoi sot nevojën emergjente për miratimin e ndryshimeve të Kodit Penal lidhur me masën e dënimit për armbëmbajtje pa leje.
Kuvendi miraton ndryshimet në Kodin Penal që kanë të bëjë me masën e dënimit për armëmbatje pa leje. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar nenet 73-77, Rregullore kërkonte votim me shumicë të cilësuar prej 3/5 e të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Pr/ligji u miratua me 97 vota pro. Miratimi i ndryshimeve në kodin penal u cilësuan “të domosdoshme” nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, gjatë seancës së sotme në Kuvend. ” Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka në esencën e tij një element, kthimin në normalitet të parimit të proporcionalitetit, që do të thotë ta dënosh dikë në përputhje me krimin që bën. Dhe ne kemi bërë ekzaktësisht këtë gjë, kemi marrë të gjithë nenin e armëmbajtjes pa leje dhe e kemi kthyer në logjikën proporcionale. Kanë qenë dënime nga 3 deri në 7 vjet psh për paragrafin e parë dhe ne e kemi bërë deri në dy vjet. Bëhet fjalë për burg, jo për kamp pushimi dhe po flasim për armëmbajtje dhe jo për ndonjë krim tjetër. Kemi pasur deri në 25 vjet për armëmbajtje pa leje, e paprecedentë, njësoj si për terrorizëm. Jemi munduar ta kthejmë në normalitet të gjithë nenin e Kodit Penal që flet për armëmbajtjen pa leje dhe dua te theksoj se emergjenca e miratimit të këtij ligji ka atë bëjë me zbatimin në praktikë, sepse kapen njerëz përditë me armëmbajtje pa leje dhe nuk dënohen dot për shkak se Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar këtë nen.”