Miratohet me 76 vota pro projektbuxheti i vitit 2019 dhe ndryshimet në paketën fiskale. Kuvendi rrëzoi me 63 vota propozimin e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë për heqjen e tatimit e pagave deri në 40 mijë lekë.
Rama vlerësoi buxhetin, pasi sipas tij rrit pagat, zeron taksën mbi imputet bujqësore dhe nxit zhvillimin. Shefi i qeverisë e vlerësoi si të frytshëm debatin brenda shumicës, referuar diskutimeve me Braçen, ndërsa u shpreh se në mungesë të PD dhe LSI po bëjmë edhe opozitën.
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 76 vota pro buxhetin për vitin 2019 dhe paketën fiskale, ndërsa opozita ka vijuar bojkotin. Edhe pse PD dhe LSI nuk ishin të pranishme në Kuvend, opozitën e qeverisë e ka bërë kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe.
Referuar paketës fiskale, Braçe propozoi disa amendamente, nga të cilat vetëm dy u pranuan.
Debati më i fortë ishte për fashën e tatimit mbi të ardhurat. Kuvendi rrëzoi propozimin e Erjon Braçes për heqjen e tatimit mbi pagat deri në 40 mijë lekë. Aktualisht për pagat deri në 30 mijë lekë tatimi është zero, ndërsa Braçe kërkoi që fasha të bëhej deri në 40 mijë lekë, por është rrëzuar.
Ndërkohë që u rrëzuan edhe amendamentet për heqjen e TVSH-së për të gjithë librashitësit dhe ndërtesat në pronësi të OJF-ve. Një tjetër pikë që ngjalli debat ishte edhe propozimi për rritjen nga 15-30% të taksës për bixhozin të hotelet me 5 Yje, që u rrëzua.
Gjithashtu Ahmetaj rrëzoi edhe propozimin e Braçes për rentën minerare, ndërsa u pranuan propozimet për akcizën dhe tarifat doganore. Referuar propozimit të tarifës doganore, Braçe tha se binte ndesh me MSA-në që të mos ishte më shumë se 5% dhe Ahmetaj e pranoi.
Rrëzimet e shumicës së amendamenteve sollën irritimin e Braçes që tërhoqi dy të fundit duke u shprehur me ironi “jam shumë i lumtur me çfarë tha ministri. I tërheq të gjitha”. Ndërkohë që kryeministri Rama i pranishëm në seancë vlerësoi buxhetin, pasi rrit pagat, zeron taksën mbi imputet bujqësore dhe nxit zhvillimin.
Shefi i qeverisë e vlerësoi si të frytshëm debatin brenda shumicës, ndërsa u shpreh se në mungesë të PD dhe LSI po bëjmë edhe opozitën.