Për herë të parë harta për plazhet private dhe publike në Velipojë u miratua nga këshilli bashkiak i Shkodrës 3 muaj përpara se të fillojë sezoni turistik. Drejtori i planifikimit në bashkinë Shkodër Aljon Koçkiçi tha se këtë vit harta e plazheve publike nga 20% është shtuar në 30% ndërsa tregoi se është miratuar edhe një investitor strategjik për plazhin e Velipojës. Anëtarët e këshillit kërkuan një menaxhim më të mirë të gjithë sezonit turistik ndërsa e miratuan atë hartë që solli bashkia Shkodër.
Në diskutimet e lira këshilltarja Dhurata Tyli solli në vëmendje mbeturinat në qytet dhe zënien e hapësirave publike për të cilat nënkryetari i bashkisë Tonin Dedaj dha një përgjigje.
Gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak u miratua fondi prej 6% për ndihmën ekonomike, qiraja për banesat sociale duke shtuar disa familje në nevojë, emërtimi i shkollës 9-vjeçare të Dragoçit në Postribë me emrin “Ismet Çelaj” dhe kalimi i një ambulance për qendrën shëndetësore të Dajçit. Ndërkohë u hoqën gjashtë pika të rendit të ditës që kanë të bëjnë me emërtime rrugësh, dhënie me qira të hapësirave për studimin e erës, dhënien me qira të kinema Millenium dhe një ndryshim në taksat dhe tarifat vendore.