Me 14 vota pro dhe asnjë kundër, Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike në Kuvend, miratoi sot ndryshimet ligjore në ligjin për të drejtën e informimit. Ndryshimet ligjore përfunduan shqyrtimin në komisionet kuvendore, dhe tashmë pritet që të kthehen në ligj në seancën plenare të së enjtes. Ato kanë për qëllim rritjen e transparencës së institucioneve publike karshi shoqërisë civile dhe qytetarëve. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i pranishëm në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, prezantoi konkretisht ndryshimet ligjore të propozuara nga dikasteri që ai drejton, në bashkëpunim edhe me Komisionerin për të Drejtën e Informimit. Manja tha se ndryshimet ligjore kanë në fokus motivimin e Koordinatorëve për të drejtën e informimit, ndërsa zgjerohet dhe gama e personave përgjegjës të cilët ndëshkohen nëse bëhen pengesë në dhënien e informacionit. Ministri i Drejtësisë tha se ndryshimet ligjore parashikojnë rritjen e frekuencës së publikimeve.

“Risia e parë është përditësimi i informacionit në programin e transparencës. E dyta, është rritja e frekuencës së publikimit të regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve, nga çdo tre muaj që është në ligjin në fuqi, në jo më pak se një herë në muaj”, tha Manja.

“Risia e tretë është përcaktimi i qartë i kompetencave të komisionerit në fushën e të drejtës së informimit. Nëse sot përgjegjës për dhënien e informacionit në kuadër të të drejtës për informim është vetëm komisioneri, pra koordinatori i ngarkuar për të dhënë këtë informacion, me ndryshimet që propozojmë përgjegjësia zgjerohet edhe tek personat e tjerë që e kanë në dorë dhe e prodhojnë këtë informacion”, vijoi Manja.

Ministri i Drejtësisë tha se me ndryshimet ligjore pjesë e përgjegjësisë bëhet dhe titullari i institucionit.

“Risia e katërt e pr/ligjit është reformimi i sistemit të përgjegjësisë për të gjithë ato subjekte që shkelin ligjin. Tashmë përgjegjësinë administrative nuk do ta mbaj vetëm koordinatori i ngarkuar për të drejtën e informimit në administratën publike, por çdo nëpunës, qoftë edhe titullari institucionit nëse pengon dhënien e informacionit, që kërkohet në kuadër të të drejtës së informimit”, tha Manja.

Mbyllet misioni i monitorimit të “Guardia di Finanza”: 185 orë fluturim dhe 63 misione nga ajri
Kreu i Ministrisë së Drejtësisë tha se do të ketë shpërblim shtesë për koordinatorët e ngarkuar për të drejtën e informimit.

“Risia e pestë, shpërblimi me një shtesë mbi pagë të koordinatorëve për të drejtën e informimit me qëllim shpërblimin e detyrave që kryejnë krahas detyrave funksionale për të rritur motivimin e tyre. Në institucionet tona, koordinatori për të drejtën e informimit nuk e ka detyrë funksionale të drejtën e informimit, por krahas detyrës së tij funksionale, ka edhe për detyrë shtesë koordinimin për të drejtën e informimit, prandaj është vendosur kjo shtesë mbi pagën, si një incentivë për ta kryer sa më mirë këtë detyrë shtesë”, nënvizoi ai.

“Risia e gjashtë është rishikimi i masës së kufirit minimal të sanksioneve administrative. Dhe e shtata është krijimi i një mekanizmi për forcimin e zbatimeve të vendimeve të komisionerit për ankesat e shqyrtuara prej tij. Me ligjin që kemi në fuqi, s’ka pasur një mekanizëm për zbatimin e vendimeve që merrte komisioneri ndaj subjekteve që bëheshin pengesë për dhënien e informacionit subjekteve që e kërkonin këtë informacion”, u shpreh ministri.

Gjithë këto ndryshime i garantojnë publikut një transparencë më të gjerë, si pjesë e kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë për mirëqeverisjen”, përfundoi Manja, i cili kujtoi se një institucion ka detyrim që t’i përgjigjet kërkesave të publikut brenda 10 ditëve punë nga dita kur dorëzohet kërkesa. Pas diskutimeve, me kërkesë të ministrit të Drejtësisë, si palë propozuese u rrëzuan dy kërkesa për amendamente të mbërritura nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare. Në fund, Komisioni i Ligjeve votoi me 14 vota pro dhe asnjë kundër kalimin për seancë plenare të ndryshimeve ligjore. Gjatë shqyrtimit të projektligjit sot, deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm.

Artikulli paraprakTRANSPORTONTE LËNDË DRUSORE PA DOKUMENTACION, PROCEDOHET 50-VJEÇARI
Artikulli tjetërMERR ZGJIDHJE ANKESA E QYTETARËVE PËR GJOBAT E POLICISË RRUGORE, MINISTRI BALLA: NGA SOT NJOFTIMIN E MERRNI…