Ura e zogut mbi Lumin Mat në Milot do ti nënshtrohet një ndërhyrje emergjente, me qëllim shpëtimin e monumentit nga shembja e plotë.Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Kulturës Elva Margariti përmes rrjetit social facebook, e cila thotë se është miratuar projekti në Këshillin Kombëtar të Trashegimisë Kulturore Materiale.
“Miratuam sot në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale projektin e ndërhyrjes emergjente në Urën e Matit.
“Projekti teknik i zbatimit për ndërhyrjen emergjente në objektin-monument kulture, Ura e Matit” është rezultat i një pune profesorësh e ekspertësh të nderuar të Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, që me urdhrin e kryeministrit, u bënë bashkë për hartimin e projektit, brenda një kohe të shkurtër, në kuadër të Paktit për Universitetin.Vetëm pak ditë më parë miratuan gjithashtu projektin e vendosjes së pajisjeve monitoruese, që do të na mundësojnë të dhënat teknike e shkencore për hartimin e projektit të zbatimit.Miratimi i këtij projekti i hap udhë gjenerimit të fondeve, fillimin e detyrave të projektimit dhe nisjen e ndërhyrjeve integrale për zgjidhjen e problemit në terren, në të gjithë objektin.
Falenderime profesorëve Markel Baballëku, Neritan Shkodrani, Iralda Xhaferraj, Esmerald Filaj, Ervin Paçi, Rikard Luka, Altin Seranaj, Andrin Kërpaçi, Shkëlqim Daja, që kanë qenë pjesë e këshillimit tonë të vazhdueshëm për këtë vepër inxhinierike komplekse” shkruan Margariti
Ura e Zogut është ndërtuar në vitin 1927 dhe gëzon statusin e Monumentit të Kulturës së kategorisë së parë. Ajo është e veçantë për shkak të harqeve të saj, ndërsa në kohën e ndërtimit, ka qenë një prej rrugëve kryesore që lidhnin Shqipërinë e Mesme me atë të Veriut.Për vite me radhë, ekspertë të mjedisit dhe mbrojtës të trashëgimisë kulturore u ranë këmbanave të alarmit se eskavatorët që nxjerrin zhavorr nga lumi Mat, po rrezikonin seriozisht “Urën e Zogut”- e shpallur monument kulture në vitin 1999.
Por shqetësimi ra në vesh të shurdhër, duke bërë që rrjedha e ujit të zhvendosë njërën prej këmbëve të urës me 2 metra e 40 centimetra, duke rrezikuar shembjen e saj.Ky monument kulture është rënditur nga organizata “Europa Nostra” një ndër 7 monumentet më të rrezikuara në evrope, ndërsa 1 javë më parë ekspertet e evropian e panë situatën nga afer dhe zhvilluan takime me përfaqësues të qeverisë për shpëtimin e Urës së Zogut nga shembja e plotë.