Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin për: “Ndërhyrje restauruese në Kalanë e Shkodrës”.

 

Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në muret e kalasë.
Kalaja e Rozafës në Shkodër është një vend atraktiv ku historia, arkitektura, peisazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer, po mahnit gjithnjë e më shumë turistët e huaj dhe ata vendas dhe këto ndërhyrje janë të nevojshme, pasi i kthejnë këto vende në atraksione të denja për turistët.

 

E ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drini, Buna dhe Kiri. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë. Kalaja hyrjen kryesore e ka nga verilindja. Projekti përfshin të gjithë hapësirën e Kalasë, ku do të restaurohen dhe vihen në dukje rrëzë saj në anën jugore gjurmët arkeologjike që fillojnë nga Bronxi i hershëm. Në mes shek.V-IV p.e.r filloi ndërtimi i Kalasë me gurë ciklopike të puthitur pa llaç, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot.

 

Në antikitet zona përreth banohej nga fisi Ilir i Labeatëve. Në këtë kohë qyteti merr hov të madh zhvillimi dhe si fakt për këtë përparim është monedha e përdorur qysh në vitin 230 p.e.s. Nga monedha mësojmë se Qyteti në këtë kohë është quajtur Scodrinon. Në vitin 181 p.e.s qyteti ishte kryeqendër e Mbretërisë Ilire me mbretin Genti në krye. Në këtë periudhë qyteti shtrihej në pjesën jugore të kodrës, i rrethuar me mure dhe porte hyrëse ndërsa mbi kodrën ku sot ngrihet Kalaja ishte ndërtuar Akropoli ilir.

 

Gjurmët më të dukshme të periudhës ilire në Kala i gjejmë në oborrin e vogël mes Barbakanës dhe portës së dytë si dhe në të majtë të kthesës hyrëse tek porta e dytë. Pikërisht në Kala dhe përreth saj gjatë shek.II p.e.s u zhvilluan luftërat me perandorin romake dhe në vitin 168 p.e.s, pushtohet nga ushtrija perandorake. Me dyndjet sllave qyteti pushtohet dhe gjatë shek.XI bëhet kryeqendër e shtetit të Zetës (në vitin 1040).

 

Më vonë qyteti pushtohet një kohë të shkurtër nga bullgarët, por deri me sot nuk janë zbuluar gjurmë ndërtimesh të kësaj periudhe në Kala. Në shek.XIV qyteti bëhet qendër e rëndësishme autonome, madje më 1360 bëhet kryeqendër e Principatës së Balshajve. Më 1396 kalon nën sundimin e Venedikut dhe në këtë kohë qyteti quhet me emërtimin Scutari. Kalaja e Rozafës është pika turistike më e vizituar në qytetin e Shkodrës.

 

Përgjatë këtij viti ka ardhur në rritje numri i turistëve që e kanë vizituar. Sipas të dhënave të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, më shumë se 60 mijë persona e kanë vizituar deri në mesin e gushtit. 20 mijë prej të cilëve janë të huaj, sidomos nga Evropa Qëndrore dhe Perëndimore.

 

 

Artikulli paraprakITALIANI QË HUMBI MIKEN NË TRAGJEDINË
Artikulli tjetërRRUGA QË MUND TË REDUKTONTE TRAFIKUN