Para votimit në seancë plenare të autorizimit për arrestimit të Sali Berishës, janë zbardhur dy raportet me të cilat këshilli i mandateve i është drejtuar kuvendit. Një raport është hartuar nga anëtarët socialistë të këshillit të mandateve dhe tjetri nga Enkelejd Alibeaj, i cili në shkresë thotë se flet në emër të grupit parlamentar të PD. E ndërsa deputetët socialistë kanë dalë në konkluzionin e dhënies së autorizimit pasi kanë renditur faktet dhe pretendimet e paraqitura nga palët si dhe vendimet e gjykatave për çështjen, Enkelejd Alibeaj ka sqaruar me detaje se pse sipas tij duhet dhënë autorizimi për arrestimin e Sali Berishës.

Duke vlerësuar në themel çështjen për mbajtjen ose jo të imunitetit në këtë rast, Alibeaj thotë se SPAK e ka shoqëruar kërkesën e vet me relacionin përkatës dhe më një numër provash, të cilat janë testuar dhe verifikuar nga proceset gjyqësore.Ndër të tjera kërkesa për dhënie autorizimi sipas Alibeajt është përshkruar në aktet e prokurorisë se bazohet në shkaqe të drejta, të rëndësishme dhe të sinqerta. Alibeaj shton se ato kanë lidhje me procedimin penal, bëhen në funksion të tij, si nevoja të domosdoshme për t’u kryer dhe se akuzat e pretenduara nga ana e Prokurorisë janë veçanërisht të rënda.

Po ashtu sipas Alibeajt shkelja që i atribuohet deputetit e për të cilat kërkohet heqja e imunitetit, nuk është pasojë e veprimtarisë së tij si parlamentar dhe dhënia e autorizimit për arrestimin është një barrierë e vërtetë e cila nëse nuk realizohet, atëherë verifikohet një pengim real i drejtësisë.

Artikulli paraprakBILANCI TRAGJIK I LUFTË NË GAZA, MBI 20 MIJË TË VDEKUR NGA 7 TETORI
Artikulli tjetërVRASJA TRAGJIKE NË KOSOVË, FAMILJA E LIRIDONA ADEMAJT KËRKESË URGJENTE NË PROKURORI