Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur në fshatin Zallë Xhuxhë në Fan të Mirditës. Viktima është Eri Zefi, 34-vjeç. Ka qenë një banor i zonës i cili ka pikasur trupin e viktimës në një kanal dhe menjëherë ka njoftuar policinë në lidhje me ngjarjen. Viktima u gjet i vrarë rreth orës 16:00 të së mërkurës në një zonë të pyllëzuar 50 metra larg rrugës së Kombit.
Eri Zefi është qëlluar me një plumb në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme
.Vendi ku u gjet viktima është zonë e pabanuar, çka vështirëson punën e grupit hetimor për të zbardhur dinamikën e krimit. Ndërkohë në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë apo provë tjetër meteriale, çka hedh dyshime se autorët mund të kenë qenë vrasës profesionist. Ndërkohë pritet kryerja e ekspertizës mjeko-ligjore në trupin e viktimës për të parë mënyrën se si mund të jetë ekzekutuar 34-vjeçari Zefi.
Në lidhje me këtë ngjarje policia ka shoqëruar disa persona në polici si dhe po merren në pyetje familjar të viktimës për të mësuar më tepër rreth veprimtarisë së tij. Të njëjtat burime bëjnë me dije se Eri Zefi është vëllai i Ndue Zefit, ky i fundit në shkurt të këtij viti ka vrarë fqinjin e tij 45-vjeçarin Martin Ndreca, pas një sherri banal.
Kjo ngjarje ka ngritur dyshimet se vrasja e Eri Zefit mund të jetë kryer për shkaqe hakmarrje nga të afërm të viktimës që vëllai i tij la më 24 shkurt të këtij viti.Martin Ndreca u vra në sy të djalit të tij 10-vjeçar.
policia ka ngritur disa pika kontrolli si dhe po bën kontrolle të zonës për të kapur autorin ose autorët.
Kjo është vrasja e tretë që shënohet në dy ditë në vendin tonë. Vetëm një ditë më parë, teksa pinte kafen e mëngjesit u ekzekutua me kallashnikov Besnik Hida, ndërsa në mesditë për shkaqe pronësie, Sali Dakuci vrau vëllanë, Kujtim Dakuci dhe nipin Flogert Dakuci. Më pas Dakuci qëlloi edhe veten.