Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i pastër”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara si rezultat i një hetimi proaktiv njëmujor, në bashkëpunim me Prokurorinë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “DOUBLE”.

Si rezultat i këtij operacioni, u godit një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:

F. N, 37 vjeç, banues në fshatin Shëmri, njësia administrative Orosh, bashkia Mirditë, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Ky shtetas dyshohet se në hapësirën e pyllit në afërsi të fshatit ku banonte, kishte kultivuar 520 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Gjatë operacionit të zhvilluar në orët e para të mëngjesit, ky shtetas u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike.

Në vijim të veprimeve procedurale, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin S. Ll., me detyrë kryeplak i fshatit Shëmri, dhe për shtetasin Gj. Gj., me detyrë specialist i pyjeve, pasi dyshohet se nuk kanë kryer detyrën e tyre funksionale, në zonën që mbulojnë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë vijon puna për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakTEMPERATURAT E LARTA, MJEKËT: SHMANGNI DALJEN JASHTË, VISHNI LEHTË FËMIJËT! KUJDES ME AJRIN E KONDICIONUAR
Artikulli tjetërSHERR MES TË RINJVE NË VELIPOJË, NË PRANGA 19-VJEÇARI