Ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në Shkodër kanë bërë që Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar t’i drejtohet popullit shkodran dhe atij shqiptar me një mesazh sensibiluzes duke kërkuar që të ndalen vrasjet, gjakmarrjet dhe hakmarrjet. Ndrek Deda, nënkryetar i kësaj shoqate në Shkodër shprehet se vrasja është një akt terrori ndaj jetës së njeriut ndaj kërkon që të ndalet gjakderdhja. Deda bën thirrje që të lihen mënjanë urrejtjet dhe të zëvendësohen me faljen e paqen.
Misionari i pajtimit e bëri këtë deklaratë pas vrasjes së Ismet Çekores afër banesës së tij në Shkodër pak ditë më parë pasi ky i fundit doli me një deklaratë duke mbrojtur djalin e tij Bajram Çekorja si i papërfshirë në ngjarjet kriminale për të cilat është dyshuar nga policia.
Ndrek Deda, 67 vjeç është prej 13 vitesh pjesë e shoqatës së Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar dhe prej pak kohësh ka marrë rolin e nënkryetarit për degën e Shkodrës duke u munduar që të sjellë pajtime e paqe mes familjeve dhe individëve që janë në gjakmarrje.