Misioni i NATO-s në Egje, niset anija nga Orikumi
Nga baza e Pashalimanit, kontigjenti i tretë i forcave detare shqiptare është nisur drejt Egjeut, ku që prej 10 muajsh Shqipëria po merr pjesë në operacionet për e përbashkëta patrulluese të NATO-s. 21 trupa të anijes “Oriku” do të jenë nën komandën gjermane për të penguar trafiqet e paligjshme drejt Europës. Në ceremoninë e përcjelljes, ministrja Kodheli tha se ky mision është një histori suksesi e Forcës Detare, por që ndër vite, sipas saj, është penguar nga opozita e sotme. “Marsi i vitit 1997 shkërmoqi plotësisht strukturat tona ushtarake, sipas një skenari të qartë dashakeqës për të mbrojtur me çdo kusht pushtetin e një individi, i cili urdhëroi makabritete që asnjë udhëheqës europian nuk ia ka bërë vendit të tij.E prapë, në marsin e 2008, po e njëjta klikë përmes abuzimit me pushtetin dhe me pasuritë publike, hodhi në erë një fshat të tërë, duke shkaktuar 26 të vdekur, qindra të plagosur e prona private të shkatërruara, nga babëzia për të përfituar nga arsenali ushtarak i Forcave të Armatosura. Ata janë të lirë sot mes nesh. Janë po këta njerëz që sot, që të angazhuar me të gjithë forcat, pengojnë reformën në drejtësi, kushtin e vetëm për hapjen e negociatave të vendit tonë me Bashkimin Europian”, tha Kodheli. Sipas ministres, dërgimi i misioneve shqiptare nga Afganistani në Letoni, Çad dhe Irak bëhet për ta shndërruar Shqipërinë anëtare dinjitoze të komunitetit euro-atlantik.