Mister zhdukja e 27 vjeçarit nga Shkodra në tragetin Bari-Durrës

Në tragetin e linjës Bari-Durrës janë vendosur 13 persona, dy prej të cilëve të mitur. Personat në fjalë po riatdhesoheshin për shkak të problemeve që kishin me rregullat e zonës Shengen, por njëri prej tyre, 27 vjeçari me iniciale A.N, i cili kishte ekspuls në zonën Shengen. Policia sqaron se menjëherë është vënë në dijeni kapiteni i tragetit dhe kanë nisur hetimet. “Nga ana e Policisë Kufitare u morën masa dhe u përforcua shërbimi, me qëllim kontrollin e imtësishëm të mjeteve dhe pasagjerëve, për të bërë të mundur kapjen e tij në hyrje. Deri tani nuk rezulton që personi në kërkim të ketë dalë nga trageti”, thuhet në njoftim. Nga verifikimet në sistemin TIMS rezulton se shtetasi A. N., më datë 08.06.2017 është shpallur person në kërkim pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”. Shtetasi i mësipërm, për herë të fundit nga Republika e Shqipërisë ka dalë më datë 18.08.2016, nga Pika Kufitare Muriqan, i regjistruar në sistemin TIMS. Nga verifikimi i listave të tragetit të linjës Durrës- Bari, të datës 08.06.2017, shtetasi A. N. rezulton i regjistruar në këtë listë dhe sipas verifikimit të bërë në sistemin e kontrollit të biletave, i cili ndodhet brenda terminalit të pasagjerëve rezulton se ky shtetas ka çekuar në datë 08.06.2017 në ora 21:32, duke shmangur kontrollin e Policisë. Gjithashtu nga verifikimi i listave të tragetit të linjës Bari – Durrës, të datës 09.06.2017, shtetasi A.N. figuron i regjistruar në këtë listë si pasagjer. “Ju bëjmë me dije se për këtë shtetas në sistemin TIMS nuk ka regjistrim dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë, konkretisht nga Durrësi më datë 08.06.2017. Në lidhje me këtë ngjarje krahas veprimeve dhe verifikimeve të para të kryera nga Policia e Kufirit Durrës, është njoftuar menjëherë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, ku nga ana e tyre ka nisur menjëherë hetimi penal”, thuhet më tej. Policia e Shtetit në bashkëpunim me ShÇBA- në po vazhdon procedurat për zbardhjen e rrethanave të shmangies së kontrollit të policisë nga ky shtetas, si dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore në rast se do ketë persona të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Artikulli paraprakZHDUKET PA GJURMË MUHAMET TAHIRI, FAMILJARËT THIRRJE POLICISË
Artikulli tjetërRIARRESTOHET HAJDUTJA SERIALE E E ÇANTAVE TE GRAVE