Në qytetin e Mitrovicës, të enjten, do të fillojnë gërmimet në kërkim të varrezës masive, i tha Radios Evropa e Lirë Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit.
Ai tha se gërmimi vlerësues nis në lokacionin e quajtur Xhamia e Ibrit, afër Urës se Ibrit në Mitrovicë. Gjetaj, tha se dyshimet për këtë lokacion për varrezë masive, kanë ekzistuar prej përfundimit të luftës, por “për shkak të lokacionit,kjo çështje është zvarritur për shkaqe sigurie dhe politike”. Një numër i lokacioneve në Kosovë dhe brenda territorit të Serbisë, sipas autoriteteve të vendit, dyshohet të jenë vendvarreza masive në të cilat, siç thuhet, ‘janë varrosur trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë periudhës së luftës’. Edhe 1600 persona, thonë organizatat për të drejtat e njeriut, vazhdojnë të konsiderohen si të zhdukur që prej përfundimit të luftës në Kosovë, ndërkohë që familjarët e tyre kanë kërkuar nga autoritetet e vendit dhe ato ndërkombëtare që të ‘bëhet më shumë në zbardhjen e fatit të tyre’