Pas rreth dy orësh bisedime, liderët e Greqisë dhe Turqisë dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën nënvizuan atmosferën pozitive në bisedimet greko-turke, pa arritur megjithatë të fshehin një sërë mosmarrëveshjesh në të njëjtën kohë. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se “ne kemi treguar se krahas mosmarrëveshjeve tona mund të shkruajmë edhe një faqe paralele me marrëveshjet tona”. Ai shtoi se “e sotmja nuk duhet të mbetet rob i së djeshmes”, duke nënvizuar se Greqia dëshiron të intensifikojë kontaktet dypalëshe.
“Mund të filloj duke ju falënderuar për mikpritjen e ngrohtë sot në Ankara, në një takim që vlen të përmendet është i katërti në dhjetë muajt e fundit. Diçka që besoj se dëshmon se dy fqinjët tashmë mund të vendosin këtë qasje të mirëkuptimit të ndërsjellë , jo më si përjashtim, por si një normalitet produktiv që nuk mohohet nga dallimet e njohura në qëndrimet tona”,- theksoi kryeministri grek.
“Ju përshëndes përzemërsisht dhe me respekt. Ndjej kënaqësi të madhe duke pritur në Ankara të nderuarin zotin Mitsotakis dhe delegacionin e tij”,- tha nga ana e tij presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan .
Erdogan tha se diskutimi me Mitsotakis ishte produktiv, i ndershëm dhe konstruktiv. Ai vuri në dukje se janë diskutuar çështje dypalëshe, si dhe lufta kundër terrorizmit. Nga ana tjetër, pati edhe mosmarrëveshje të dukshme gjatë konferencës për shtyp, siç është lufta në Gaza. Udhëheqja turke “nuk e konsideron Hamasin një organizatë terroriste”, por në vend të kësaj “një organizatë rezistence që po lufton për të mbrojtur territoret dhe popullin palestinez”,- tha lideri turk. Pavarësisht mosmarrëveshjeve Erdogan theksoi se nuk ka asnjë problem aq të madh sa të mos zgjidhet.