Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta ka përcjellë një mesazh të fortë pas vrasjes së Anton Kelit në Mirditë mbrëmjen e kaluar.
Dom Gjergj Meta për këtë vrasje duket tepër i revoltuar, dhe ka bërë thirrje që t’i thuhet mjaft vrasjeve dhe gjykimi t’i lihet vetëm zotit.
Ai thotë se qyteti i Rrëshenit u përgjak sërish, përsëri nga një vrasje tjetër pa autor. Po ashtu ai kritikon tashmë hapur sistemin e drejtësisë sipas të cilit është ende larg atij të një vendi normal europian.
MESAZHI I DOM GJERGJ METËS
MJAFT MË ME VRASJE!
Qyteti jonë, Rrësheni, u përgjak sërish. Prapë një vrasje tjetër pa autor apo me autor në drejtim të paditur. Për fat të keq, na janë bërë të shumta drejtimet e paditura, në një sistem drejtësie ende larg atij të një vendi normal europian.
Janë të tepërta këto pesha që po i ngarkohen shpesh qytetit tonë të vogël, këto kohët e fundit.
Kushdo që merr jetën e një njeriu ta dijë se një ditë do të japë llogari. Mund t’i fshihet drejtësisë së njerëzve, mund të humbasë gjurmët, por nuk i fshihet dot gjykimit të Zotit e as gjykimit të ndërgjegjes së vet.
Nuk kam fjalë tjetër për ata që kanë gisht në këto punë përveçse: Pendohuni! Kthehuni kah Zoti! Lërjani Zotit gjykimin. Do të vijë një ditë gjykimi i Zotit, në këtë botë e në tjetrën. Nuk do t’i shpëtojë dot askush atij gjykimi. Sa jeni gjallë keni kohë të silleni kah e mira, kah falja dhe paqja.
Lum ata që duan paqen dhe urrejnë të keqen, sepse do të quhen bijtë e Hyjit.
Mjaft më me vrasje! Mjaft!
+ dom Gjergji