Mbrëmjen e sotme, një grup studentësh të Mjekësisë janë solidarizuar me studentët e tjerë, duke iu bashkuar ngujimit tek Fakulteti i Ekonomikut.
Janë rreth 50 studentë të Mjekësisë, të cilët thanë se natën do ta kalojnë tek Ekonomiku ndërsa të hënën do të vijojnë bojkotin te Fakullteti i tyre, ku pritet të jenë edhe më të shumtë në numër.
“Dënojmë dhunën që është ushtruar nga policia ndaj shokëve tanë të Fakulteteve të tjera dhe solidarizohemi me ta. U themi që Mjekësia është e gatshme ti mbështesë me çfarëdo ndihme.
Në kuadër të këtij solidarizimi kemi vendosur dhe ne të ngujohemi si Fakultetet e tjera. Jemi një grup me disa studentë, nesër presim të 2-3 fishohemi.
Protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e 8 kërkesave dhe anulimin e ligjit të arsimit të lartë. Sonte ne do të flemë këtu, grupi prej 40-50 studentësh, ndërsa nesër do të vijojmë bojkotin te Fakulteti i Mjekësisë”.
“Anuloni ligjin” ishte thirrja në kor e studentëve drejtuar kryeministrit Rama.