Mjekët e fundit që kanë mbetur në zonat lindore të qytetit Alepo që kontrollohen nga rebelët, i kërkuan presidentit armerikan Barack Obama që të ndihmojë më shumë se 250 000 civilët që jetojnë atje.

Në një letër të firmosur nga 29 mjekë, paralajmërohet se nëse vazhdojnë sulmet ndaj spitaleve dhe klinikave me ritmet aktuale, brenda një muaji nuk do të mbetet askush aty. Mjekët i kërkuan Obamës që të imponojë një zonë ndalimi fluturimesh mbi Alepo për t’i dhënë fund bormadimeve. “Bota thjesht vazhdon dhe thotë sa e ndërlikuar është gjendja në Siri dhe nuk bën thuajse asgjë për të na mbrojtur. Ofertat e fundit për evakuim nga Rusia dhe qeveria duken si kërcënime të fshehura që thonë mbathjani ose përballuni me të panjohurën. Nuk kemi nevojë për lot apo dhembshuri, por na duhet dëshpërimisht ndalimi i bombardimeve në lindje të Alepos dhe masa ndërkombëtare që qyteti të mos jetë i rrethuar“, shkruhet në letrën e mjekëve për Obamën, në të cilën presidentit amerikan i kërkohet që të bëjë detyrën e tij. Ndërkohë, njëkohësisht me publikimin e letrës, Rusia lajmëroi se do të ndalë çdo veprim ushtarak për tre orë në ditë për të lejuar hyrjen e ndihmës në Alepo. Por, OKB-ja e kundërshtoi idenë ruse duke thënë se 3 orë nuk mjaftojnë për të ndihmuar miliona dhe se nevojiten minimalisht pauza 48-orëshe në luftime. Përleshjet janë ashpërsuar ndjeshëm në Alepo javët e fundit, ndërsa rebelët luftojnë për mbijetesë, të përballur me rrethimin e forcave qeveritare. Raportohet se forcat e opozitës ia kanë dalë që të çajnë rrethimin dhe kjo ka ashpërsuar konfliktin për kontrollin e qytetit.

Artikulli paraprakNOGA: KRISTELA GJOKA VRAU VAJZËN TONË GJASHTË MUAJSHE
Artikulli tjetërKOMENTET PËR ARMË, TRUMP “ALARMON” SHËRBIMIN SEKRET