Greqia është në një pikë shumë kritike me koronavirusin. Mediat greke shkruajnë se nga njëra anë vërehet një stabilizim i rasteve, por nga ana tjetër situata epidemiologjike mund të përmbyset në çdo moment për të çuar në një tjetër shpërthim, në një kohë kur sistemi shëndetësor është nën presion të madh dhe spitalet po arrijnë kufijtë e tyre.
Kjo është një periudhë e rrezikshme për shkak të lëvizjes dhe aktiviteteve intensive. Me masat e reja për të pavaksinuarit, të cilët do të kenë pengesa edhe më të mëdha në ambientet e argëtimit dhe do të festojnë në shtëpi, synohet t’i vihen frena transmetimet të sëmundjes.
Profesori Sotiris Tsiodras shprehet se deri më 13 dhjetor parashikon që të sëmurët e intubuar do të arrijnë në 800. Megjithatë, tek anëtarët e Komitetit të Ekspertëve të Shëndetësisë në Greqi ekziston një optimizëm modest se infeksionet do të reduktohen dhe nuk do të arrijmë këtë numër.
Zgjidhja e vetme për të fituar luftën sipas tyre është vetëm vaksinimi.