Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar të martën në Bruksel shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe Komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn.

Në fokus të këtyre dy takimeve ishte çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën. Mirëpo, ngjashëm me porosinë që mori javën e kaluar kryeministri Isa Mustafa, edhe kryediplomatit Hoxhaj, zyrtarët e BE-së i kanë theksuar se Kosova me gjithë përparimet e bëra, mbetet të plotësoj edhe kushtin e fundit, atë të ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Në takimet me ministrin Hoxhaj u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe raportet me BE-në, tha një zyrtar i BE-së për REL. Të dyja palët, ka potencuar ai, ndajnë vullnetin e përbashkët për ta përafruar sa më afër Kosovën me Bashkimin Evropian dhe për të promovuar pajtimin dhe bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Federica Mogherini, sipas këtij zyrtari të BE-së, ka potencuar se është kyçe që Kosova të vazhdoj angazhimin konstruktiv në dialogun me Serbinë që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian, përfshi edhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Kurse Komisioneri Hahn, tha i njëjti zyrtar, ka theksuar se për përparime të dukshme në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe reformat evropiane, Kosova duhet të vazhdoj përqendrimin në zbatimin e reformave, sidomos në fushat e sundimit të ligjitdhe në ekonomi. Ai ka theksuar edhe nevojën që procesit të liberalizimit të vizave t’i paraprijë ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi.

Në anën tjetër, kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj, i cili në takimet me zyrtarët e BE-së ishte i shoqëruar nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica dhe kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini ka folur edhe për MSA-në dhe punën në kuadër të zbatimit të saj, si një hap i rëndësishëm i përafrimit me BE-në. Ministri Hoxhaj u ka shprehur Mogherinit dhe Hahn interesimin e Kosovës që këtë vit të aplikojë për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, pasi që të zbatohet agjenda e reformave evropiane.

“Gjatë ditës së sotme takova zonjën Mogherini dhe zotin Hahn, ku tema qendrore ishte liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës në atë moment kur deputetët e Kosovës do ta ratifikonin marrëveshjen e demarkimit me Malin e Zi. Po ashtu, kemi biseduar për zbatimin e agjendës evropiane të reformave dhe të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe mundësinë që të aplikojmë për statusin e kandidatit në fund të një procesi të tillë dhe për çështje të tjera të karakterit bilateral në mes të Kosovës dhe BE-së”, citohet të ketë thënë Hoxhaj.

Në të dyja takimet, u tha po ashtu se palët kanë diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në rajon, si dhe tendencat për ndikime të forcave anti-evropiane në Ballkan. Hoxhaj ka theksuar se pavarësisht sfidave, Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj të palëkundur drejt integrimeve euro-atlantike. Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar procedimin e demarkacionit për ratifikim në Kuvend gjatë kësaj jave. Mirëpo, njëherësh, koalicioni qeverisës ende nuk ka arritur të garantoj opinionin se i ka siguruar votat e nevojshme për ratifikimin e demarkacionit, duke e bërë kështu të paqartë edhe procesin e liberalizimit të vizave.

Artikulli paraprakBASHA:ULEM ME RAMEN POR DUAM QEVERI TEKNIKE.NUK I TRADHETOJME SHQIPTARET
Artikulli tjetërMBLIDHET SOT KONVENTA KOMBËTARE E LSI PËR ZGJEDHJEN E KREUT TË RI