Shefja për politikë të jashtme dhe siguri e BE-së, Federica Mogherini ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për uljen e fondeve për Kombet e Bashkuara për 640 milionë dollarë, duke thënë se zgjidhja paqësore e probleme globale është po aq e rëndësishme sa ajo ushtarake.
Në buxhetin e SHBA-së që u miratua nga Kongresi javën e kaluar, janë shkurtuar 640 milionë dollarë fonde nga agjencitë e OKB-së, teksa janë shtuar 15 miliardë në buxhetin ushtarak të SHBA-së. Mogherini ka thënë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se BE-ja vullnetarisht kontribuon gjysmën e buxhetit për shumicën e agjencive të OKB-së sepse vlerëson se Organizata Botërore e Shëndetësië, Programi botëror për Ushqim dhe agjencia për fëmijët UNICEF, dhe trupa të tjerë të kësaj organizate, janë esenciale për paqen. “Është esenciale për ne që të vazhdojmë të investojmë në këto agjenci të OKB-së”, ka thënë ajo.
“Ato janë po aq të rëndësishme për paqen globale sa janë edhe shpenzimet në siguri dhe mbrojtje- ndonjëherë edhe më të rëndësishme. Dhe ne, evropinaët, konsiderojmë se mbështetja e till për sistemin e OKB-së është investim i rëndësishëm për sigurinë tonë”, ka thënë ajo. Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, në fjalimin e saj nuk ka përmendur shkurtimet buxhetore por ajo ka kërkuar veprime më të forta ndëshkuese ndaj Sirisë, Koresë së Veriut dhe Iranit.