Në Grupin E, në momentin e hedhjes së shortit, e sigurt është se në radhët e Polonisë dhe Republikës Çeke, “fërkuan duart”, goglat i vendosën rivalë si Shqipëria, Moldavia dhe Ishujt Faroe, por dy xhiro përpara fundit, Polonia dhe Çekia, e shohin veten me një këmbë jashtë. Shqipëria i mori 3 pikë Polonisë dhe 4 pikë Çekisë, ndërsa të premten përballen me Moldavinë, një kundërshtar që po ashtu është në lojë për një biletë, një kundërshtar që nuk ka pësuar asnjë humbje në shtëpinë e tyre dhe vetëm Shqipëria i ka mposhtur në këtë grup.

Në letër, Moldavia nuk është një rival komod, këtë e ka treguar gjatë këtyre kualifikueseve, për këtë arsye, Sylvinho kërkon përqendrim maksimal. Edhe në sfidën e parë në “Air Albania”, Shqipëria vuajti pak, ku u desh një perlë e Jasir Asanit për të larguar presionin, në fund fituam me rezultatin 2-0 pasi festës iu bashkua edhe Nedim Bajrami.

Historia ka treguar se Moldavia është një “pre” e preferuar për Shqipërinë. Në 6 përballjet ndërmjet tyre, Shqipëria ka fituar 5 sfida dhe vetëm një prej tyre ka përfunduar në barazim pa gola. Besojnë shumë te suksesi i kuqezinjve edhe kompanitë e basteve, një fitore e mundshme e Shqipërisë vlerësohet me 1.80.

Artikulli paraprakHAPET RRUGA NË DREJTIM TË MALIT TË SHOSHIT
Artikulli tjetërBUXHETI 2024, TABAKU: U RRITËN TAKSAT, JO MIRËQENIA E QYTETARËVE