Krerët e Kosovës thonë se momenti për aplikim në BE dhe KE është i volitshëm. Autoritetet ndërkombëtare thonë se për anëtarësimin e Kosovës në BE, hapi i parë është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Autoritetet e Kosovës e kanë vënë si prioritet aplikimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë. Synimet janë të qarta: Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe NATO. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në një vjetorin e punës së saj si presidente, tha se janë duke punuar maksimalisht për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës dhe në NATO. Por sipas saj anëtarësimi në NATO është më i komplikuar. E sa i përket Këshillit të Evropës, Osmani tha se 2/3 e ministrave që do të votojnë në KE janë nga shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Kam kërkuar të bëhen organizimet që aplikimi në Këshillin e Evropës të bëhet sivjet. Ne po punojmë me partnerët tanë që kjo periudhë kohore të jetë sa më e shkurtë për Republikën e Kosovës. Nga shtetet që do të votojnë në këshillin e ministrave që është hapi i fundit i votimit në Këshillin e Evropës më shumë se 2/3 e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe shpresojmë që të votojnë në favor”, tha Osmani. Ndërsa sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO, presidentja bëri të ditur se ky është një proces më i komplikuar, pasi votimi dhe vendimi kërkon unanimitet të plotë.

Anëtarësimi në NATO

“Sa i përket anëtarësimit në NATO është shumë më i komplikuar, sepse kërkon votim dhe vendim me unanimitet të plotë. Në NATO janë edhe 4 shtete evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën”, tha presidentja Osmani. Megjithatë ajo tha se “Kosova do të sigurohet që t`i plotësojë të gjitha kriteret për anëtarësim në NATO, ndërsa synim tjetër është anëtarësimi në Partneritetin për Paqe”, ndonëse Kosova ende nuk ka ftesë për anëtarësim.

Aplikimi në BE

“Kosova është vend potencial për vendin kandidat dhe i është premtuar perspektiva e anëtarësimit në Bashkim Evropian. Prandaj ne jemi të përkushtuar të zbatojmë pjesën tonë të detyrimeve dhe të intensifikojmë bashkëpunimin me shtetet anëtare dhe institucionet e Bashkimit Evropian për të avancuar në fazën tjetër të anëtarësimit”, tha Kurti.

“Ne do të aplikojmë këtë vit për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian. Do të ishte shumë mirë që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës dhe në programin e partneritetit për paqe të NATO-s”, duke bërë thirrje që pesë shtetet anëtare të BE-së të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë hapin e madh drejt njohjes.

“Ne jemi në kontakt me shtetet mosnjohëse. Katër nga ato janë edhe në NATO: Spanja, Sllovakia, Greqia dhe Rumania. Por jemi në konktakt ede me Qipron që është pjesë e Bashkimit Europian por jo edhe e NATO-s”, tha Kurti.

Artikulli paraprakMBLEDHJA E PARË NË ZYRËN E BASHËS/ DALIN PAMJET NGA TRYEZA E KOMISIONIT TË RITHEMELIMIT TË PD
Artikulli tjetërOKB: ASNJË MUNDËSI PËR ARMËPUSHIM NË UKRAINË