Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj priti Komandantin e Përgjithshëm të Guardia di Finanza-s, Gjeneral Giorgio Toschi me të cilin bisedoi rreth bashkëpunimit në luftën kundër kultivimit të narkotikëve, trafikimit dhe rritjes së sigurisë në të dy anët e kufirit.
Ministri Xhafaj falënderoi për asistencën në monitorimin nga ajri të sipërfaqeve të mundshme të mbjella me kanabis.
Ai nënvizoi se kjo ndihmë mishërohet në dy fusha, kontrollin e kufirit detar dhe monitorimin ajror në kuadër të programit të Ministrisë së Brendshme Italiane e asistuar edhe nga projekti i BE, SANCAS.
Z. Xhafaj theksoi më tej se për Qeverinë shqiptare lufta ndaj kultivimit mbetet një prioritet i qartë politik dhe kombëtar.
Ai e ilustroi këtë me masat e marra për të çrrënjosur përfundimisht nga territori shqiptar fenomenin e mbjelljes së bimëve narkotike, i shoqëruar me rezultate solide për të dytin vit radhazi.
Kreu i GdF, Giorgio Toschi vlerësoi bashkëpunimin me strukturat e Policisë së Shtetit dhe nënvizoi angazhimin e Qeverisë italiane për të konsoliduar arritjet e derisotme.
Ai falënderoi partnerët shqiptarë, duke veçuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe kultivimit të kanabisit në veçanti.
Toschi u shpreh më tej se ishte absolutisht i kënaqur për punën e përbashkët dhe për rezultatet e arritura.
Ai tha se rezultatet e vitit 2018 janë tejet entuziaste sidomos duke pasur parasysh se këtë vit është shtuar numri i orëve të fluturimit, mbulohet një pjesë më e madhe e territorit dhe është rritur gjithashtu hapësira kohore gjatë së cilës është kryer monitorimi ajror.
Komandanti i GdF nënvizoi se gjatë këtij viti, në territorin shqiptar janë mbjellë një numër edhe më i vogël bimësh kanabisi se në vitin 2017, që ishte viti më i suksesshëm në luftën kundër kanabisit.
Ai konfirmoi zhvendosjen e tentativave për trafikim, në shtetet fqinje të Shqipërisë dhe shprehu interesin e GdF që, në të ardhmen, të shtrijë monitorimin ajror edhe drejt këtyre vendeve.
Pas takimit në Ministrinë e Brendshme, delegacioni i lartë i GdF u prit në një takim nga Zv.drejtorja e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, në të cilin u diskutuan çështje konkrete të bashkëpunimit dypalësh.
Pas disa javësh do të raportohen të dhënat përfundimtare të misionit të GdF për monitorimin nga ajri të territorit shqiptar për luftën kundër kultivimit të kanabisit.