Ish-kancelarja gjermane ua kushtoi nderimin e OKB-së njerëzve që ndihmojnë refugjatët. Angela Merkel e mori çmimin prestigjioz Nansen nga Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) në Gjenevë. Me këtë çmim, UNHCR i bën homazh rolit të Angela Merkelit në kulmin e krizës së refugjatëve sirianë në vitet 2015 dhe 2016. Ish-kancelarja citoi në fjalën e saj të pranimit autorin gjerman Erich Kästner: “Nuk ka asgjë të mirë, për aq kohë sa nuk e bën atë. ”

Shumë njerëz në komuna dhe komunitete, si dhe shumë vullnetarë ndihmuan për të kapërcyer sfidat në atë kohë, tha Angela Merkel: “Nga këndvështrimi im, ky nderim u drejtohet mbi të gjitha njerëzve të panumërt, të cilëve u dedikojmë vënien nën kontroll të situatës, që ia dolëm mbanë”. Paratë për çmimin prej 150.000 dollarësh, ajo i vuri në dispozicion, në pjesë të barabarta, katër fituesve rajonalë që u shpërblyen në të njëjtën kohë, duke përfshirë një mjek në Irak dhe një grua që ka mbështetur refugjatët në Kosta Rika për më shumë se 50 vjet. Fjalët e Merkelit në atë kohë, “Wir schaffen das” (do t’ia dalim mbanë), u kthyen në fjalë fluturake, që Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), italiani Filippo Grandi, i përsërit shpesh në gjermanisht.

Mirënjohje për të gjithë Gjermaninë

“Ky çmim është një mirënjohje për ish-kancelaren, sepse ajo ishte në qeveri dhe ishte ajo që në fund i mori vendimet”, tha Grandi. “Por është gjithashtu një njohje për atë që ka bërë e gjithë Gjermania për të mirëpritur më shumë se një milion njerëz”. Vendimi i Merkelit atëherë ishte i diskutueshëm brenda partive konservatore unioniste, më vonë edhe në shoqërinë gjermane. Ajo debatonte rregullisht me kryetarin e atëhershëm të CSU-së, Horst Seehofer për çështjen e refugjatëve. Politika e saj për refugjatët u prit me kritika edhe në landet lindore të Gjermanisë. Çmimi Nansen konsiderohet nderi më i lartë i UNHCR-së, e cila u është kushtuar nevojave të refugjatëve për më shumë se 70 vjet. Ajo u jepet njerëzve që janë dalluar veçanërisht në fushën e ndihmës për refugjatët. Çmimi mban emrin e studiuesit dhe diplomatit norvegjez Fridtjof Nansen. Ai ishte Komisioneri i parë i Lartë për Refugjatët i paraardhëses së Kombeve të Bashkuara, Lidhjes së Kombeve, nga viti 1920 deri në vitin 1930. Prandaj ai mori Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1922. Angela Merkel nuk kandidoi në zgjedhjet federale të vitit të kaluar pas 16 vjetësh në detyrë.

Artikulli paraprakMALËSI E MADHE, VIJON OPERACIONI “VALLAS”, SHKON NË 13 NUMRI I TË ARRESTUARVE
Artikulli tjetërFINALIZOHET OPERACIONI POLICOR I KODUAR “VIGU”, ARRESTOHEN NË FLAGRANCË BABË E BIR, SHPALLET NË KËRKIM BASHKËPUNËTORI I TYRE