Mario Majollari 28 –vjeç, banues në Kinostudio, u ekzekutua me tre plumba natën e kaluar pranë banesës së tij.

Atij iu bë pritë nga persona të armatosur, të cilët mësohet se kanë qëlluar nga një automjet dhe janë larguar menjëherë duke humbur gjurmët në errësirë.

Policia e Shtetit konfirmon se ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të kësaj ngjarje, Kastriot Gjuzi, 40-vjeç.

Sipas të dhënave i riu Majollari është vrarë për hakmarrje, pasi babai i tij, Avni Majollari ka vrarë dy vetë, po për hakmarrje para 18 viteve në rrugën e Dajtit. Kastriot Gjuzi është vëllai i Ilir Gjuzit, i ekzekutuar në vitin 2000 nga Avni Majollari.

Kastriot Gjuzi e ka ndjekur në këmbë Mario Majollarin dhe në momentin kur i riu po i afrohej banesës, në një rrugicë të errët, e ka qëlluar atë për vdekje me tre plumba.

Policia ka shkuar për kontrolle në banesën e tij në zonën e Tufinës, por nuk e ka gjetur. Një nga pistat ku po hetohet ngjarja është pikërisht ajo e hakmarrjes për krimin e babait të Marios,

Avni Majollari, 18 vjet më parë në rrugën që të çon për në Dajt, duke lënë të vdekur dy persona, Armando Nelajn dhe Ilir Gjuzin.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë
Zbardhet në kohë rekord vrasja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Aleksandër Moisiu”.

Identifikohet e shpallet në kërkim autori i dyshuar i vrasjes së 28 vjeçarit M.M.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në funksion të zbardhjes së ngjarjes ngriti menjëherë një grup të posaçëm hetimor.

Pas një pune intensive dhe profesionale, gjatë gjithë natës dhe orëve të para të mëngjesit, fiksimit të çdo prove në vendngjarje, si dhe një sërë veprimesh të tjera hetimore, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes.

Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda në D.V.P. Tiranë, bënë shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar:

• K.Gj., 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë.
Ky shtetas dyshohet se rreth orës 20:25, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, për motive hakmarrjeje ka vrarë me armë zjarri shtetasin M.M., 28 vjeç.

Vijon puna intensive për gjetjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Vrasjes për gjakmarrje” ,

“Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga nenet 78/a dhe 278/2 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit K.Gj.

Artikulli paraprakU PROCEDUA PENALISHT, ADEMI: NUK KAM FRIKË, DO JEM NË RRESHT TË PARË NË ÇDO PROTESTË
Artikulli tjetërITALIA GODITET PËRSËRI NGA TËRMETI