Pas protestave dhe mosbindjes civile gjatë ditës së djeshme, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka kërkuar nga qeveria dhe opozita që të ulen në dialog për të evituar cdo shkak për tensione të panevojshme dhe konflikte që nuk i shërbejnë as vendit dhe as qytetarëve. I pranishëm në takimin ‘Aleanca Kombëtare e Studentëve Senatorë’, Meta u shpreh se jetojmë në një klimë konfliktualiteti, arrogance dhe arbitrariteti.
Jetojmë në një klimë të papranueshme konfliktualiteti dhe përjashtimi, arbitrariteti dhe arrogance. Besoj se jam përpjekur të jap mesazhet e duhura. Megjithatë dua të theksoj se ne nuk e kemi luksin as ‘të këpusim një lule’ meqenëse ato kanë filluar të çelin për shkak të pranverës, dhe për shkak edhe të dëmeve që vendi ka pësuar në të kaluarën nga mungesa e dialogut dhe nga fryma e përjashtimit dhe konfrontimit.
Është e domosdoshme që çdo vendim që ka të bëjë me qeverisjen të jetë i mirëstudiuar dhe i mirëkonsultuar dhe është e drejtë e çdo qytetari, e çdo komuniteti të kërkojë dhe të forcojë ndjenjën e llogaridhënies ndaj qeverisjes qendrore edhe vendore për çdo taksë që paguajnë apo për çdo shërbim që duhet të udhëtohet. Megjithatë shpresoj në një reflektim të përgjithshëm dhe në vendosjen e një dialogu, i cili ndihmon në përmirësimin e mirëqeverisjes së vendit dhe besimit dhe respektimit tek institucionet e përbashkëta.
Besoj se mesazhi im ka qenë dhe mbetet i qartë. Opozita ka të gjitha mundësitë që të shfrytëzojë instrumentet e saj për të rritur kontrollin parlamentar ashtu sikurse maxhoranca duhet të jetë më e interesuar për dialog të qëndrueshëm me opozitën, grupet e interesit, me komunitetet, me qytetarët në mënyrë që të evitohet çdo shkak për tensione të panevojshme dhe për konflikte që nuk i shërbejnë as vendit, as qytetarëve dhe as një qeverisje më të mirë dhe as një demokracie për të cilën të gjithë duhet të kontribuojmë më shumë.
I pyetur se si i gjykon thirrjet e opozitës për mospagim taksash, Meta u shpreh kundër, pasi shteti, sipas tij mbahet nga taksat.
Mendoj se ky vend qëndron në bazë të kontributit të çdo qytetari në radhë të parë, por edhe të çdo taksapaguesi. Dhe në këtë drejtim edhe qeveria, por edhe opozita duhet të rrisin bashkëpunimin dhe transparencën në respekt të qytetarëve shqiptarë në radhë të parë, dhe të gjitha kërkesave dhe pretendimeve të tyre, por edhe të taksapaguesve shqiptarë, të cilët mbajnë edhe shtetin, edhe institucionet.
Në fund të komunikimit me mediat, Meta nuk pranoi që të fliste për lëvizjet në SHISH dhe mosdekretimin e Helidon Bendos.
Ju faleminderit! Dhe shpresojmë që ky Senati i Studentëve do të jetë një mesazh pozitiv për fuqizimin e një mendimi të pavarur në vend dhe të një angazhimi më të madh të të gjithë të rinjve për një Shqipëri me të rinj dhe për të rinjtë në të ardhmen, sepse ky duhet të jetë qëllimi ynë më i madh sot: Të japim shpresë sa më shumë!
Presidenti Ilir Meta
Ditën e djeshme opozita zhvilloi një protestë mosbindje civile kundër taksës në Rrugën e Kombit, por edhe taksave për biznesin e vogël. Në ditët në vijim opozita ka paralajmëruar të tjera aksione kundër qeverisë Rama, që e cilëson të kriminalizuar.