Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas thirrjes së opozitës së bashkuar PD-LSI për mosbindje civile. Rama deklaron se veprimet e opozitës kanë dy qëllime, të pengojnë integrimin dhe t’i ikin drejtësisë së re.
Përsa i përket tarifës së Rrugës së Kombit, kreu i qeverisë thekson se kur opozitarët e sotëm ishin në qeveri e bënë tenderin e pagesës së rrugës 8-9 euro.
Kur ishin në qeveri e bënë tenderin e pagesës së rrugës 8-9EU!Dështuan.Tani i vunë zjarrin “patriotik” e duan ta përdorin Kukësin si shishe benzine për të djegur rrugën europiane të Shqipërisë!Mjerë kush u beson rrugëhumburve pa atdhe që duan zjarr e kaos për t’i ikur drejtësisë!
Pas arrestimit të 23 personave për protestën e dhunshme në Rrugën e Kombit dhe 20 të tjerëve që janë në kërkim, krerët e opozitës, Lulzim Basha i PD dhe Monika Kryemadhi e LSI deklaruan mbrëmë se brenda kësaj jave nis mosbindja civile dhe protesta masive në të gjithë vendin.
Basha dhe Kryemadhi iu kanë bërë thirrje qytetarëve të mos paguajnë asnjë taksë dhe të bashkohen në protestë, që sipas tyre, do të jetë me të gjitha format.