Kryeministri Edi Rama ka nisur konsultimet me bizneset me një mesazh të qartë, se duhet të marrë fund evazioni fiskal me pagat. Grabitje që i bëhet buxhetit të shtetit, e quan Rama mosdeklarimin real të pagave, duke thënë se kjo mbi të gjitha ndikon në xhepin dhe jetesën e pensionistëve.
“Ne kemi detyrimin si qeveri të bëjmë çmos që jeta e tyre të jetë sa më e qetë, që kushtet e jetës së tyre të përmirësohen sa të jetë e mundur dhe ata që krijojnë punë në këtë vend që janë sipërmarrjet dhe që paguajnë për punën, kamë detyrimin që çdo qindarkë, të çdo pagese, për çdo person që i takon pensionistëve, tu shkojë pensionistëve. Ky është detyrim i çdo kujt që merr një pagë, e ndërkohë që në sektorin publik ky detyrim është i përmbushur se nuk varet nga sjellja e personit që paguhet, po derdhet në arkën e sigurimeve shoqërore. Nuk ndodh e njëjta gjë në sektorin privat”, tha kryeministri Rama.
Për kryeministrin Rama mosdeklarimi real i pagave është një problem i madh që duhet adresuar me urgjencë. E nëse nga bizneset nuk do të ketë reflektim, kreu i qeverisë paralajmëron masa të rënda administratave, por edhe penale.
“Kemi një problem të madh me deklarimin e pagës reale. Një problem shumë i madh që ne jemi shumë të vendosur ta adresojmë dhe të mos presim përmirësimin gradual, por të kërkojmë përmirësim të shpejtë dhe një adresim të shpejtë. Besoj se kompanitë nuk do jetë nevoja të vihen në presionin e masave të rënda administrative, dhe me gjasë edhe penale për grabitjen e pensioneve. Kjo është grabitje. Është fjalë shumë e rëndë, është një turp shumë i madh, është një sjellje që ka marrë statusin e vijës së sjelljes në shumë biznese, me një mungesë përgjegjshmërie që jam i sigurt që kur u thua grabitje mund të ndihen të fyer, por kjo është grabitje”, vijoi kryeministri.
Ndërsa, ultimatumi i Tatimeve për bizneset që të deklarojnë pagat relae përfundoi më 20 tetor, ministri Blendi Gonxhja thotë se masat e tatimeve nuk duhen të jenë e vetmja armë për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi.
“Masat e tatimeve nuk mund të jenë e vetmja armë për të luftuar këtë armë dhe këtë problem të madh që kemi. Ka shumë rëndësi puna me ndërgjegjësimin, që të kuptojmë realisht se çfarë rëndësie kanë këto sjellje, këto veprime dhe aktorët nga të cilat kryhen. Duhet të kemi një angazhim më të madh për të bërë ndërgjegjësim shumë të madh sa i takon këtyre fenomeneve”, tha Gonxhja.
Qeveria ka premtuar një skemë të re pensionesh, por ende nuk janë bërë me dije detaje se sa mund të jetë rritja që do përfitojnë pensionistët duke nisur nga 2025. Ndërsa bonusi i fundvitit këtë dhjetor pritet të jetë më i madh për pensionistët.