Autobuzët e qytetit pas datës 1 prill do të bllokohen totalisht.
Qytetarët e Shkodrës nuk do të mund të kenë shërbim urban pas 1 prillit të këtij viti. Deklarata vjen nga shoqëria e transportit urban në Shkodër që disponon autobuzët dhe ofron këtë shërbim. Shkak për këtë gjë është bërë një mosmarrëveshje mes drejtuesve të kësaj kompanie dhe bashkisë Shkodër. Shoqëria e transportit urban përmes një deklarate për shtyp bën me dije se pas 1 prillit do të bllokojë autobuzët. Në deklaratën për shtyp thuhet se “në bazë të vendimeve të paraqitura në mbledhjen e datës 29/03/2016 për konsultat mbi buxhetin e vitit 2016 për shërbimet publike u paraqit që subvencioni i vitit 2016 të jetë në zbritje edhe pse cilësia e shërbimit urban ka qenë në rritje të vazhdueshme”-kjo është një prej arsyeve. Në deklaratë ka edhe një pretendim tjetër. “Kundrejt kërkesës për rritje të numrit të aboneve për studentë rreth 1,000-1,200 bashkia e Shkodrës ka planifikuar që për vitin 2016 të jenë vetëm 600 abone për studentë kundrejt 800 që kanë qenë vitin e kaluar, pra janë 200 më pak”. Sipas shoqërisë të transportit është kërkuar edhe rritje e çmimit të biletës. “Rritja e çmimit të biletës nga 30-40 lekë nuk është marrë parasysh nga bashkia në një kohë që linjat tona janë më të gjata së linjat e Tiranës. Linja në Shkodër është 18 km vajtje-ardhje ndërsa në Tiranë 9 km vajtje-ardhje”. Deklarata mbyllet me lajmin për bllokimin e autbuzëve pas 1 prillit. “Për pasojë të mosrespektimit të këtyre kërkesave shërbimi urban është i detyruar të bllokojë autobuzët për qytetin e Shkodrës me datë 1 prill 2016 dhe në vazhdimësi si dhe moslejimin e lëvizjes pa pagesë të invalidëve për qytetin e Shkodrës”-përfundon deklarata. Në një situatë të tillë nëse nuk gjendet një zgjidhje atëherë do të krijohet një kaos sepse zona e largëta si fëmijët e Shkollës, student apo edhe të punësuarit lëvizin me autobus. Pritet nëse mund të ketë një zgjidhje mes bashkisë dhe shoqërisë së transportit urban.