TRE TË MOSHUAR KANË HUMBUR JETËN NË RAJONIN E BRESHIAS, NDËRSA PO PASTRONIN BORËN. Moti i keq vazhdon të shkaktojë probleme edhe në Itali, sidomos në veri dhe qendër të gadishullit Apenin.
Tre të moshuar kanë humbur jetën në rajonin e Breshias, ndërsa po pastronin borën, kurse pesë të tjerë janë shpëtuar nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Liguria, Piemonte, Lombardia dhe pjesë të Toskanës janë goditur nga stuhitë e dëborës dhe të shiut. Disa autostrada janë bërë të kalueshme me vështirësi ndërsa në zonat bregdetare ka pasur edhe përmbytje. 19 vetë janë evakuar nga periferitë e Emilja Romanjës ndërsa disa fshatra të tjerë kanë mbetur të izoluar dhe pa energji elektrike. Në shumë prej zonave të goditura nga moti i keq janë mbyllur shkollat, ndërsa spitalet dhe qendrat e emergjencave civile janë vënë në shërbim të njerëzve në nevojë. Bashkitë e veriut i kanë bërë thirrje qytetarëve të kufizojnë qarkullimin e mjeteve private motorrike për të shmangur incidente, ndërsa raportohen vonesa në linjat e trenave që përshkojnë veriun e vendit, sidomos në Lombardi.