Moti i keq ka përfshirë vendin tonë, ku reshjet e shiut në disa zona po shkaktojnë përmbytje. Problematike situata është në qarkun e Shkodrës, ku si rezultat i reshjeve të shumta ka pasur dalje të përrenjve nga shtrati dhe përmbytje të një sipërfaqe prej 400 ha në Fushën e Muriqanit, në Njësinë Administrative Ana e Malit.
Mësohet se ka prezencë uji në lagjen Kasape, njësia administrative Guri i Zi, për shkak të bllokimit nga inertet të Urës së Pistallës. Po ashtu prezencë uji ka dhe në fshatin Shirq, njësia administrative Dajç. Ndërkohë, kanë dale nga shtrati përroi i quajtur Gline dhe lumi Gjadër te cilat kane dëmtuar rrugë lagjesh edhe infrastrukturën në Qytetin e Vau Dejësit dhe Njesinë Hajmel, Shllak. Mësohet se nuk ka energji elektrike ne pothuajse te gjitha njësite administrative.
Mes të tjerash thuhet se kanalet kulluese në Velipojë, Dajç dhe Bërdicë janë tejmbushur, ndërsa raportohet se ka dëmtime të rrugëve dytësore në të gjitha njësitë po ashtu dhe mungesë të energjisë elektrike. Po ashtu raportohet se në rrugën kryesore në Zues, lëvizet vetëm nga një krah, pasi pjesa tjetër është bllokuar me inerte.
Ndërkohë, në Theth mësohet se ka dalë nga shtrati përroi Nikgjonaj, ku ka prezencë uji në 3 banesa. Nikshiqi raporton mes të tjerash se reshjet me intensitet të lartë vazhdojnë dhe në territorin e Bashkisë së Malësisë së Madhe, ku si rezultat i rënies në sasira të mëdha Përroi i thatë në fshatin Kamicë ka dalë nga shtrati, ndërsa në Bajzë ujerat kane depërtuar në 2 banesa, atë të Mark Qosjas dhe Asllan Culajt ku mjetet e MNZSH kanë punuar për thithjen e ujit me pompa.