Reshjet e dendura të shiut, era e fortë dhe reshjet e borës kanë shoqëruar qarkun Shkodër në 24 orët e fundit duke bërë që moti të vijojë të jetë i përkeqësuar. Në aksin Prekal-Kir në rrugën e Dukagjinit ka patur rrëshqitje të mëdha të rrugës duke bllokuar këtë segment dhe duke e bërë të pakalueshëm. Një gjë e tillë u bë e ditur nga kryetari i bashkisë Shkodër Benet Beci i cili postoi edhe një video me rrugën e shembur të aksit Prekal-Kir.
Kryebashkiaku Beci shkruan se “moti i keq me erëra të forta dhe reshje shiu që ka shoqëruar terrtorin e Bashkisë Shkodër ka krijuar probleme ne segmentin rrugor Prekal – Kir. Gjatë natës ka pasur rrëshqitje të mëdha të rrugës çka ka sjellë bllokimin e saj për automjetet. Bashkia Shkodër ka vënë në dijeni strukturat e emergjencave civile dhe firmën kontraktuese për menaxhimin e kësaj situate ndërkohë që i bën thirrje banorëve që të bëjnë kujdes në këtë segment rrugor”, thuhet në këtë njoftim.
Rrëshqitje gurësh janë regjistruar edhe në një tjetër segment të lotit të dytë të rrugës Kir-Shosh, në vendin e quajtur Prroni i Çiverrit, bën të ditur kryebashkiaku Beci.
“Me përmirësimin e kushteve atmosferike, firmat që po kryejnë investimin do të ndërhyjnë për zhbllokimin e rrugës. Në dy segmentet ku ka pasur rrëshqitje të masivit shkëmbor ndodhet një rrugë që është ende në proces ndërtimi, si pjesë e investimit për rrugën e Dukagjinit. U bëj thirrje banorëve të zonës që të tregojnë kujdes, ndërsa firmat po marrin masa për ndërhyrje të shpejtë me qëllim zhbllokimin e rrugës dhe vijimin e investimit”, përfundon kreu i bashkisë Beci.
Ndërkohë emergjencat civile bëjnë të ditur se në akset e lotit 1, Hani Hotit – Tamarë, Tamarë – Vermosh dhe Bogë-Theth, gjatë natës ka patur reshje shiu dhe në lartësinë mbi 1000m ka patur reshje bore.
Në akset Tamarë-Vermosh ka patur rënie gurësh dhe dalje të pakta inertesh por që janë marrë masat dhe janë pastruar. Mjetet dhe makineritë janë në terren në gadishmëri duke monitoruar situatën. Në bashkinë Vau Dejës vijon që të ketë mungesë të energjisë elektrike në fshatrat e njësive Hajmel. Vig Mnelë, Temal dhe Shllak. Në bashkinë Pukë vijon të ketë reshje shiu dhe erë të fortë. Në territorin e bashkisë Fushë Arrëz raportohen shkarje gurësh dhe dherash në rrugë rurale dhe një pjesë e tyre janë të pakalueshme për automjetet. Nga reshjet e shiut prej rreth 10mm gjatë 24 orëve nuk janë shkaktuar probleme në infrastrukturën e kullimit.