Edhe pse një kohë më e ngrohtë se ditët e tjera, e diela në Tiranë po shoqërohet me erë të fortë, çka në disa raste ka shkaktuar edhe probleme për lëvizjen e qytetarëve.
Era e fortë ka bërë që disa pemë apo degë të tyre të bien, duke u bërë edhe një rrezik potencial për njerëzit dhe automjetet e parkuara në rrugë.
Nisur nga kjo situatë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka bërë thirrje gjithë banorëve të Tiranës që të tregohen të kujdesshëm për të shmangur problemet e ndryshme.
Nëpërmjet një statusi në Twitter Veliaj bën të ditur se për shkak të motit punonjësit e emergjencave civile të Tiranës janë në terren ku kanë ndërhyrë në heqjen e pemëve të rrëzuara dhe duke hapur trotuaret dhe rrugët.
“Shokë – kujdes sot në Tiranë prej erës së fortë e pemëve apo objekteve që rrëzohen! Emergjencat Civile të Bashkisë Tiranë janë në terren sot dhe pse ditë pushimi!
Me pak vigjilencë e kalojmë pa zarar këtë moment gjer sa të kalojnë stuhitë! Për çdo sinjalizim ju lutem ☎️ 112″, shkruan Veliaj në Twitter.