Ndryshimi drastik i motit, nga temperaturat e larta në reshje shiu, ka bërë që Policia Rrugore të bëjë një apel për drejtuesit e makinave, të motomjeteve dhe biçiklietave, për më tepër kujdes, sidomos gjatë natës. Policia Rrugore shprehet se kujdes duhet të kenë edhe këmbësorët, kur kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën.
“APEL PËR MË SHUMË KUJDES!
Nisur nga përkeqësimi i kushteve atmosferike, si dhe rritja e ndjeshme e trafikut rrugor në të gjitha akset rrugore kombëtare, Policia Rrugore apelon për më shumë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve, motomjeteve dhe biçikletave, veçanërisht me shenjat dalluese gjatë natës 🌃🌧️🚗🚴♂️, por edhe gjatë lëvizjes si këmbësorë 🚶♂️ duke kaluar nga njëri kah i rrugës në tjetrin, pasi rreziku për t’u përfshirë në aksidente rrugore është i madh. Kjo për shkak të lagështirës në rrugë, rënies së gurëve dhe inerteve nga rrjedhjet e shiut, si dhe si pasojë e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor 🚧, që kryesisht vijnë si rezultat i mungesës së durimit në kushtet e trafikut të rënduar 🚦. Për këtë arsye, strukturat e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë prezente me burime njerëzore dhe pajisje teknologjike të shtuara, jo vetëm për të rregulluar trafikun, por edhe për të parandaluar, konstatuar dhe ndëshkuar shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor, të cilët janë burim rreziku për përfshirje në ngjarje rrugore 🚔. Gjithashtu, të gjitha shërbimet e tjera të Policisë, përfshirë Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat e Posaçme Shqiponja, janë në gatishmëri për t’ju ardhur në ndihmë shërbimeve të Policisë Rrugore për menaxhimin e trafikut të rënduar, si dhe për përdoruesit e rrugës në rast nevoje si pasojë e motit të keq”, njofton Policia Rrugore.