Plot 60 mjeshtra bakllavaje, 15 artistë mozaikësh dhe 100 fëmijë kanë punuar së bashku në Turqi për të prodhuar “mozaikun më të madh në botë me bakllava”.

Agjencia turke e lajmeve “DHA” citon sponsorin e këtij mozaiku, mjeshtrin e bakllavasë Levent Aktas, i cili thotë se për të ndërtuar mozaikun e “Vajzës Cigane”, prej 39,5 metrash katrorë, janë përdorur 750 kilogramë bakllava, të ndarë në 6 160 pjesë. Mozaiku u paraqit në një qendër tregtare në qytetin Gaziantep, afër kufirit me Sirinë, i njohur për prodhimet e bakllavasë. Përveç autoriteteve vendore, në paraqitjen e mozaikut mori pjesë edhe një grup i kryesuar nga përfaqësuesi i “Guinness”-it Orhan Kural, i cili bëri matjet e nevojshme dhe certifikimin e rekordit. Grupi, i cili punoi pesë ditë për ndërtimin e mozaikut, koordinohej nga piktori Mustafa Bencan. Në prodhimin e bakllavasë u përdorën ngjyrosës ushqimi për t’i dhënë pamjen e “Vajzës Cigane”. Mozaiku i “Vajzës Cigane” të Zeugmës, qytet antik që shtrihej në provincën e sotme të Gaziantepit, u ri-zbulua gjatë gërmimeve të dimrit 1998-1999 dhe aktualisht është një ndër pjesët kryesore të Muzeut të Gaziantepit.

Artikulli paraprakPARASHIKIMI I MOTIT, I KTHJELLËT POR…
Artikulli tjetërARSYEJA E KAOSIT NË KUFI