Një trazirë që shpërtheu ditën e Krishtlindjeve në një burg në kryeqytetin e Mozambikut, Maputo, rezultoi në vdekjen e 33 personave, plagosjes së 15 dhe arratisjes së 1500 të burgosurve. Rreth 1,534 njerëz u arratisën nga burgu gjatë kryengritjes, por 150 prej tyre tani janë rikapur, tha shefi i policisë së vendit, Bernardino Rafael. Mozambiku po përjeton trazira të mëdha politike dhe autoritetet dje thanë se të paktën 21 persona ishin vrarë në një ditë të protestave antiqeveritare në vend, pasi Këshilli Kushtetues ratifikoi fitoren e partisë Frelimo më 9 Tetor- e cila ka qenë në pushtet që nga pavarësia e vendit afrikan nga Portugalia, në vitin 1975.
Vendimi i Këshillit Kushtetues ndezi një valë të re protestash nga mbështetësit e opozitës, të cilët pretendojnë mashtrime zgjedhore. Në këtë klimë, autoritetet kanë marrë masa drastike sigurie në të gjithë vendin, shkruajnë mediat.

Shefi i policisë fajësoi për trazirat e burgut protestuesit që ishin mbledhur jashtë burgut. Megjithatë, Ministrja e Drejtësisë Helena Kinda tha për rrjetin televiziv privat lokal Miramar TV, se trazirat nisën brenda burgut dhe nuk kishin të bënin me protestat jashtë tij.

“Përplasjet që pasuan rezultuan me 33 të vdekur dhe 15 të plagosur brenda ambienteve të burgut”, theksoi ajo në një konferencë për shtyp.

Dy muaj pasi shpërthyen trazirat antiqeveritare në vend, të paktën 130 njerëz janë vrarë, shumica prej tyre protestues, sipas OJQ-së Mozambike Plataforma Decide.

Artikulli paraprakE RËNDË NË NORVEGJI! NJË AUTOBUS PËRFSHIHET NË NJË AKSIDENT TË FRIKSHËM
Artikulli tjetërBLLOKOHEN DISA AKSE PËR SHKAK TË FLUKSIT TË LËVIZJES NË SHKODËR