Ministria e jashtme greke ka deklaruar se çdo marrëveshje e mundshme me Shqipërinë do të publikohet zyrtarisht atëherë kur të jetë finalizuar. Kjo konfirmohet nga selia e diplomacisë greke,e cila e pyetur nëse ka ndonjë zhvillim të ri lidhur me negociatat pas takimit që zhvilluan të premten në Sofie ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë.

“Nuk ka asnjë zhvillim përtej deklaratave të fundit që kanë bërë dy ministrat e jashtëm, Kotzias dhe Bushati”, ishte përgjigjja e dhënë nga një burim tepër kompetent, që ndërkaq kërkoi ruajtjen e anonimitetit. I pyetur mbi zhvillimet rreth marrëveshjes për kufirin detar dhe zonat ekskluzive ekonomike, burimi tha se nuk kishte asnjë koment dhe shtoi se çdo marrëveshje do të publikohet zyrtarisht atëherë kur të jetë finalizuar në mënyrë të plotë. Para tri ditësh, ministri i jashtëm grek deklaroi në një intervistë televizive se Athina dhe Tirana kanë mbyllur gjithë paketën e çështjeve të hapura që prej 70 vjetësh. Por ai kishte shtuar se shpreson që negociatat të mbërrinin në një përfundim pozitiv. Gjë që tregon se negociatat nuk kanë përfunduar akoma.

Ky konkluzion përforcohet edhe nga fakti se presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ende nuk ka kthyer përgjigje ndaj kërkesës së ministrit të jashtëm, për t’i dhënë plotfuqishmërinë e nisjes së negociatave teknike.

Artikulli paraprakDUKE FILLUAR NGA 1 MARSI, TEST I RI PËR PATENTË
Artikulli tjetërBUSHATI MERR PJESË NE KONFERENCËN E SIGURISË SË MUNIHUT