4 autobuz të shërbimit urban do të jenë në gatishmëri vetëm për të transportuar besimtarët e krishterë të Shkodrës gjatë muajit që i kushtohet Zojës së Bekuar.
Konfirmimin e jep pronari i kompanisë Afrim Dërvishi i cili thotë se s’do të ketë linjë të rregullt por vetëm për besimtarët që shkojnë në Kishën e Zojës në hyrje të qytetit. Pas këtij muaji shërbimi urban do bllokohet sërish në rast se bashkia Shkodër nuk merr masa. Gjatë dy ditëve kur shërbimi urban qëndroi i bllokuar bashkia thotë Dërvishi nuk ka bërë asnjë lloj reagimi. Gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak ku kaloi buxheti i 2016-ës çështja e shërbimit urban nuk u përmend edhe pse ndërkohë autobuzët ishin bllokuar. Besimtarët e krishterë të Shkodrës që do frekuentojnë Kishën e Zojës në shenjë nderimi do kenë 4 autobuz gjatë orëve të paraditës si dhe 4 gjatë orëve të pasdites, ndërsa qytetarët do vijojnë që të mos e marrin këtë shërbim duke krijuar jo pak probleme për ta.