Muaji Tetor është një muaj ndërkombëtar dedikuar kancerit të gjirit.

Sipas statistikave 1 në 250 gra mbi moshën 35 është e prirur të preket nga kanceri i gjirit, ndërsa shanset më të ulta janë tek vajzat nën 20 vjeç, 1 në 2000. Por tek mosha e reja kjo sëmundje, edhe pse më e rrallë është shumë më e ashpër. Sipas mjekëve shkaktarët kryesor që shkaktojnë kancerin janë konsumi i ushqimeve të shpejta, mungesa e aktivitetit fizik, pirja e duhanit, etj. Por si duhet të mbrohen grate nga kjo sëmundje e rëndë dhe çfarë duhet të bëjnë kur kanë dyshime se mund të jenë të prekura. Mjekët e Spitalit Onkologjik dhe specialistët e Institutit të Shëndetit Publik kanë përgatitur një sërë këshillash për gratë të cilat dyshojnë se mund të jenë prekur nga kanceri i gjirit.

Çfarë është kanceri i gjirit?

Kanceri i gjirit është një nga llojet më të shpeshta të kancereve tek gratë, sidomos tek ato mbi 35-40 vjeç. Çdo vit mjaft gra në botë preken nga kanceri i gjirit dhe mjaft prej tyre vdesin për shkak të kësaj sëmundjeje. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në çdo 9 gra, njera do të sëmuret prej kancerit të gjirit. Në Shqipëri kanceri i gjirit është kanceri që haset më shpesh tek gratë me rreth 450-500 raste të reja çdo vit, dhe zë vendin e parë ndër shkaqet e vdekjeve nga kanceri tek femrat. Shumica e rasteve me kancer të gjirit tek ne, paraqiten me vonesë tek mjeku, në faza shumë të avancuara.

Cilat gra preken nga kanceri i gjirit?

Nga kanceri i gjirit mund të preket çdo femër. Por një femër duhet të jetë edhe më e kujdesshme në kontrollin e gjirit nëse:

• Nëna, motra apo gjyshja e saj kanë patur kancer të gjirit

• Janë mbi 40 vjeç, sepse rreziku rritet bashkë me moshën

• Periodat i kanë filluar para moshës 12 vjeç apo i kanë ndaluar pas moshës 50 vjeç

• Nuk kanë lindur kurrë fëmijë

• Kanë lindur fëmijën e parë mbi 30 vjeç

• Nuk kanë ushqyer fëmijën me gji

• Janë mbipeshë

• Pinë tepër duhan dhe alkol

• Hanë ushqime të pasura me yndyrna shtazore

• Nuk kryejnë aktivitet fizik Por në ditët tona, kanceri i gjirit mund të trajtohet me sukses nëse zbulohet shpejt.

Si mund të zbulohet shpejt kanceri i gjirit?

Shumë gra janë në jetë sot, sepse ato kanë bërë kontrolle të rregullta për kancer gjiri. Disa nga mënyrat për të zbuluar herët kancerin e gjirit janë:

• Vetëkontrolli mujor i gjirit

•Kontrolli i gjirit tek mjeku

• Mamografia

• Eko e gjirit

Çfarë është vetkontrolli i gjirit?

Vetëkontrolli i gjirit është një mënyrë për të njohur gjinjtë duke i kontrolluar ata nëpërmjet prekjes me duar. Duke i kontrolluar gjinjtë rregullisht çdo muaj, një femër mëson si është pamja normale e tyre, bëhet familjare me ta, dhe kështu do të kuptojë menjëherë ndonjë gjë të pazakontë në gji. Vet-kontrolli i gjirit duhet të bëhet duke filluar nga mosha 20 vjeç pavarësisht se gjinjtë mund të jenë normal. Kontrolli i gjirit rekomandohet të bëhet çdo muaj, mbas kalimit të periodave, ose 3-4 ditë mbas tyre. Kjo sepse gjatë periodave gjinjtë janë të dhimbshëm, të tendosur, dhe mund të ngatërrojnë. Vet-kontrolli i gjirit ka rëndësinë e vet, gjithmonë nëse realizohet në mënyrë korrekte. Prandaj është e këshillueshmë që vet-kontrolli i gjirit në fillim të mësohet nga mjeku. Vet-kontrolli i gjirit është një veprim shumë i thjeshtë që çdo femër mund ta bëjë pa shumë mundim. Me dorë, lehtë me lëvizje rrotulluese, kontrollohen me rradhë gjinjtë. Me dorën e majtë kontrollohet gjiri i djathtë dhe pastaj me dorën e djathtë kontrollohet gjiri i majtë. Indet e gjirit përfshijnë një sipërfaqe më të madhe se gjinjtë, prandaj duhen kontrolluar, prekur dhe parë gjithë sipërfaqja e gjirit duke përfshirë edhe pjesën e sipërme të kraharorit deri tek sqetullat. Çfarë ndryshimesh në gji duhet të tërheqin vemendjen? Një grua duhet të shkojë menjëherë tek mjeku nëse vë re shenja jo normale si: • Zmadhim apo forcim të gjirit që nuk është normale. Zakonisht, shumë gra para periodave kanë gjoks të fortë dhe të dhimbshëm, por kjo është një gjë normale • Gjëndra apo kokrra në gji ose nën sqetull • Skuqje, mahisje, enjtje në gjinjtë apo rreth tyre • Rrudhosje apo gropëzim të lëkurës së gjirit. • Njeri gji është më i ulët se tjetri në mënyrë të pazakontë • Tërheqje nga brenda e thithave të gjirit ose rrjedhje lëngu apo gjaku prej tyre. • Dhe çdo gjë tjetër që nuk i duket normale Por, jo të gjitha gjendrat që mund të dalin në gji janë kancer. Megjithatë gruaja duhet drejtuar sa më shpejt të jetë e mundur tek mjeku nëse vë re ndonjë ndryshim jo normal tek gjinjtë. Vetëm mjeku mund të bëjë dallimin.

Çfarë është Mamografia? Mamografia është një lloj radiografie e gjirit. Mamografia e kap kancerin e gjirit shumë herët, atëhere kur ndryshimet nuk mund të shihen me sy apo të preken me dorë. Ajo mund ta dallojë kancerin e gjirit rreth 2 vjet para shfaqjes së shenjave, kur ka akoma shanse për tu trajtuar me sukses. Gati gjysma e kancereve të gjirit që arrijnë të kapen nga mamografia janë akoma të vegjël dhe mund të hiqen lehtë, pa hequr gjithë gjirin dhe pa lënë shenjë. Mamografia mund të bëhet në çdo kohë, por është mirë që femrat e moshës riprodhuese ta kryejnë mammografinë në fund të periodave, ose 3-4 ditë mbas tyre. Kjo për arsye sepse para dhe gjatë periodave gjinjtë janë të dhimbshëm dhe disa gra mund ta ndjejnë shtypje dhe dhimbje të lehtë gjatë mamografisë, që për pjesën më të madhe kjo është e durueshme. Në periudhën e menopauzës kryhet në çdo moment.

Të gjitha gratë (në veçanti ato që kanë faktorë rrisku) nga mosha 50 vjeç e lart, duhet të bëjnë një mamografi çdo 1-3 vjet. Rreziqet për kancer të gjirit rriten me rritjen e moshës. Megjithatë, pavarsisht nga mosha, nëse një grua ka ndonjë shqetësim në gji, duhet të paraqitet menjëherë tek mjeku i cili sqaron se farë duhet të bëjë gruaja dhe sa herë duhet të bëjë mamografinë. Është mirë që kur gratë të shkojnë për mamografi, të veshin rroba të veçuara, bluzë me fund ose pantallon, sepse duhet të zhvishen nga mesi e lart. Gjithashtu, nuk duhet të përdorin deodorant, pudër, ose të lyhen me ndonjë solucion tjetër trupor, ditën që do të shkojnë për të bërë mamografinë sepse kjo ndikon në rezultatin e saj. Çfarë është Ekzaminimi klinik i gjirit? Ekzaminimi klinik i gjirit është një vizitë e gjirit e cila kryhet zakonisht nga mjeku, por edhe nga një personel i trajnuar për këtë teknikë. Ekzaminimi klinik i gjirit mund të kap disa kancere të gjirit në stade relativisht të herëshme të zhvillimit si dhe disa kancere të cilët nuk janë evidentë në mamografi. Gjithësesi, efektiviteti i kësaj procedure varet mjaft nga mënyra se si kryhet. Ajo kërkon një ekzaminim të gjithë kuadrateve në të dy gjinjtë si dhe të gjithë gjendrave limfatike rajonale Ekzaminim klinik i gjinjve bëhet së paku çdo 2 vjet. Nëse një femër paraqitet për ekzaminim klinik të gjirit tek mjeku i familjes, duhet të bëjë pyetje dhe të flasë me mjekun rreth rrezikut për kancer gjiri, sa shpesh duhet të testohen dhe të diskutojë çdo lloj gjëje tjetër që e shqetëson lidhur me këtë Çfarë është EKO e gjirit? EKO e gjirit është një lloj tjetër kontrolli i gjirit që kryet nga mjeku radiolog apo onkolog. EKO e gjirit rekomandohet për femrat e moshës 20 deri 40 vjeç. Femrat të cilave mund tu rekomandohet EKO e gjirit janë: ato që kanё gji tё dendur duke ndihmuar nё përcaktimin e njё anormaliteti tё gjirit qё nuk mund tё interpretohet qartё me anё tё mamografisё; kanё mbushje tё gjirit me silikon dhe vetёm pak ind mund tё pёrfshihet nё mamografi; nuk mund tё ekspozohen ndaj rrezeve X. Njё kontroll me ekografi mund tё jetё i dobishëm gjithashtu nёse mamografia e kryer mё parё shfaq njё masё jo tё dalluar qartё apo njё kokёrr e cila mund tё diagnostikohet mё qartё vetëm me EKO. Pёr femrat nёn 35 vjeç me rrisk të lartë vetёm njё EKO shpesh ёshtё mёse e mjaftueshme.

Artikulli paraprakTMERRI NË QIELL, MOTORI I AVIONIT SHPËRBËHET MBI OQEAN
Artikulli tjetërPAS FJALIMIT NE KUVEND, PELESHI ME RIGERTEN PER HALLET E FSHATIT