Partia Demokratike ka reaguar për mungesën e ilaçit të leucemisë nëpër spitale, prej të paktën 3 muajsh.
Në një deklaratë për mediat , deputetja e kësaj force politike, Albana Vokshi, akuzoi Kryeministrin Rama, i cili sipas saj, nuk e dëgjon zërin dhe lutjet e prindërve të fëmijëve të sëmurë me leucemi që rrezikojnë jetën çdo ditë. “Prej të paktën 3 muajsh fëmijët e sëmurë me leucemi nuk marrin trajtim mjekësor, sepse mungon ilaci i tyre. Ky medikament, nuk ofrohet në spital, dhe është i papërballueshëm nga familjarët për ta marrë në farmaci, pasi një flaskon kushton qindra euro. Ndërkohë që Edi Rama bën show me foto dite duke u përkujdesur për djalin e tij, ai nuk lëviz as gishtin për të marrë masa për këta dhjetra të mitur që rrezikojnë jetën. Edi Rama është direkt përgjegjës për këtë dramë që po kalojnë fëmijët dhe të afërmit e tyre, sepse ilaçi aspraginaza mungon për shkak të politikave dhe prokurimeve që udhëheq ai përmes mashës Beqaj. Edi Rama nuk dështon në asnjë rast të sigurojë miliona euro për Vilmën e tij, për muratorin e Peruxhias, e për të tjerë klientë e donator. Por ai prej 3 muajsh, nuk siguron ilacin e domosdoshëm për jetën e dhjetra fëmijëve të sëmurë me leucemi. Arsyeja është e thjeshtë. Edi Rama ka hequr dorë nga detyra dhe përgjegjësia që ka, me ligj e kushtetutë e sipas kontratës me zgjedhësit, të cilëve u premtoi shëndetësi falas. Ai nuk i ka më prioritet as pacientët, as familjarët e tyre. Edi Rama nuk dëgjon zërin dhe lutjet e prindërve të fëmijëve të sëmurë me leucemi që rrezikojnë jetën çdo ditë, injoron edhe përpjekjet e shoqërisë civile që janë gjendur në krah të sëmurëve. Edi Rama nuk do të kuptojë që këta fëmijë kanë nevojë për shtetin. Ai është i përqendruar vetëm tek tenderat e koncesionet në shëndetësi, për të ndarë me miq e klientë paratë e shqiptarëve, siç ka bërë me 350 milionë euro deri tani. Partia Demokratike i kërkon Edi Ramës dhe kampionit të tij për korrupsionin, Ilir Beqës, të sigurojnë menjëherë ilacin për fëmijët me leucemi, sepse do të mbajnë përgjegjësi për çdo jetë që po vënë në rrezik. Ne i kërkojmë familjarëve të tyre të ngrenë zërin në protestën e tyre të drejtë, pasi kanë në krah qytetarët dhe Partinë Demokratike. Shqiptarët meritojnë të kurohen e të trajtohen si qenie humane me të drejtat e tyre. Shëndetësia dhe Shqipëria do të jenë më mirë pa Edi Ramën.”