Sot Vllaznia vuan për tifozët. E çuditshme, por e vërtetë kjo. Në një qytet si Shkodra ku të gjithë kanë jetuar me futbollin ndër vite dhe një nga vendet që ka nxjerrë më shumë futbollistë, në ndeshjen e fundit që Vllaznia fitoi ndaj Dinamos, të pranishëm në stadiumin “Loro Boriçi” ishin vetëm 300-tifozë. Sigurisht që, ky është një minus i madh për këtë skuadër, e cila tifozërinë e ka patur si një pikë të fortë mbështetëse në vite. Mjafton të shohim këtë video dhe kupton menjëherë se kush janë tifozët shkodranë.
Pikërisht, 22-vite më parë ka qenë ky stadium i mbushur në këtë mënyrë dhe të mos harrojmë, në “Loro Boriçi”, këto pamje nuk i takojnë asnjë përballje me Italinë apo Spanjën, por me Tiranën, Lushnjën dhe ekipe të tjera të kampionatit shqiptar. Nëse mungesa e tifozëve në shkallët e stadiumit është e madhe, një arsye e fortë është edhe fakti që Vllaznia sot nuk është mirë dhe tifozët shkodranë po e vuajnë shumë këtë gjë. Të gjithë e kanë të qartë lidhjen shumë të ngushtë që kanë tifozët kuqeblu me skuadrën e qytetit të tyre, por gjithashtu edhe qëndrimin e fortë të tyre, kur ekipi i zemrës nuk prodhon rezultatet e duhura dhe nuk futet me synimet madhore në Superiore.
Ndoshta në këtë mes, pa faj nuk është as klubi, i cili nuk ka ndërmarrë pothuajse asnjëherë ndonjë nismë për të ulur çmimet e biletave apo për të lejuar kategori të veçanta të futen falas në stadium, teksa me plot gojë mund të thuhet se nuk ia kanë dalë të afrojnë shumë tifozë në “Loro Boriçi”. Gjithsesi, pavarësisht numrit të pakët të tyre dhe në rënie në ndeshje pas ndeshje, sportdashësit shkodranë mbeten një pasuri e madhe jo vetëm për Shkodrën, por edhe për gjithë futbollin shqiptar.